E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët përforcojnë barrikadën mbi lumin Ibër

MITROVICE- Serbët lokalë përforcojnë barrikadën e vendosur në cepin verior të urës mbi lumen Ibër të Mitrovicës. Media kosovare shkruan se rreth orës 15: 30 të ditës së sotme një grup serbësh kanë ngritur nivelin e barrikadës duke hedhur sërish zhavorr.

Kosova press raporton se i gjithë aksioni është kryer brenda një kohe të shkrutër prej 5 minutash, ndërkohë që është parë dhe nga KFOR.

Ndërkaq, lëvizja në pikën kufitare të Jarinjës, e cila u hap sot paradite nga KFOR, është e pamundur pasi lëvizja pengohet nga barrikadat që serbët kanë ngritur përgjatë rrugës që të con në këtë pikë kufitare.

Pas heqjes së një barrikade nga ana e KFOR-it në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinje, nata e kaluar në këtë pjesë të vendit tonë ka kaluar e qetë dhe pa incidente, ndërkohë që serbët e rebeluar vazhdojnë të qëndrojnë pranë barrikadave tjera të vendosura me qëllim të pengimit të qarkullimit të automjeteve të KFOR-it.

Serbët kanë rivendosur barrikadat në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kufitar të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, më 16 shtator. Të martën sulmuan me gurë dhe me granata KFOR-in, duke plagosur 4 ushtarë.

Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare, dhe në këto dy pika është zhvilluar kontrabanda dhe krimi i organizuar.
(s.g/BalkanWeb) Lidhje te tjera Mitrovicë, hapet Jarinja, ende i bllokuar Leposavici

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›