E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët pushtojnë pikat statike të policisë në Mitrovicë

Është pushtuar tërësisht nga grupet kriminale serbe, kontejneri i Policisë së Kosovës, i vendosur në zonë e Tre rrokaqiejve në veri të Mitrovicës, si pikë statike, njofton Koha Ditore. E tërë ngjarja ka ndodhur rreth orës 13: 00. Grupet kriminale serbe fillimisht lëshuan alarmin në veri e më pastaj në këtë pikë statike të policisë u mblodhën rreth 200 serbë, të cilët demoluan në tërësi kontejnerin e vendosur sot. Dy policë të Kosovës, që ishin aty e patën të pamundur të parandalojnë turmën e madhe të serbëve.
Ngjarja
Burime të Koha Ditore njoftojnë se grupit prej 200 serbëve iu ka prirë Zharko Veselinoviq, vëllai i kapos së krimit të veriut të Kosovës, Zvonkos. Po ashtu këto burime theksojnë se kontejner, si pikë statike e Policisë së Kosovës, në atë vend iu ka penguar strukturave paralele serbe, për arsye se ishte i vendosur në mesë të Tre rrokaqiejve dhe objektit ku funksionon administrata e komunës paralele serbe dhe UNMIK-ut. Kontejneri i Policisë së Kosovës, si pikë statike, në atë vend është vendosur me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepit. Një natë më parë në njërën nga tre rrokaqiejt në një sulm terrorist me eksplozive është vrarë Selver Haradinaj si dhe janë plagosur katër persona të tjerë.
Pikat statike
Policia e Kosovës, në përputhje me premtimin e ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi, kishte vendosur të hënën disa pika statike të policisë në pjesët neuralgjike të pjesës veriore të Mitrovicës. Këso pikash, siç njoftohet, ishin vendosur jo vetëm te Tre rrokaqiejt, por edhe në disa zona të tjera të qytetit. Mirëpo, siç raportojnë mediet nga andej, grupe serbësh i kanë demoluar ato dhe tani vetë po i mbajnë nën kontroll, ndërsa policët e Kosovës tashmë janë larguar. Nuk raportohet për të lënduar.

Policia: Situata vazhdon të jetë e tensionuar

Dy ditë pas vrasjes së shqiptarit Selver Haradinaj në veri të Mitrovicës, autoritetet e rendit thonë se situata në këtë pjesë të vendit mbetet e tensionuar. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se policia në bashkëpunim me autoritetet tjera të komunës, janë duke u përpjekur për të ofruar një siguri më të madhe për qytetarët, e po ashtu edhe për uljen e tensioneve. Kemi një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, shqetësimet e banorëve, jo vetëm të veriut, banorëve shqiptarë e serbë, por të të gjithë banorëve të tjerë në komunë e me gjerë. Policia e Kosovës me strukturat e tjera të sigurisë dhe të pushtetit lokal ka përgjegjësi për marrjen e masave ose veprimeve shtesë për uljen e tensioneve, deklaroi Hoti. Ai tha se ende nuk dihen motivet dhe shkaktarët e sulmit, por siç u shpreh ai, policia është duke hetuar të gjitha rrethanat e këtij incidenti kriminal. Zëdhënësi Hoti tha po ashtu se në lagjet e banuara me popullatë etnikisht të përzier, janë vendosur pika statike të kujdestarisë dhe të kontrollit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›