E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia nxjerr në kërkim ndërkombëtar Fatmir Limajn

Fatmir Limaj

Një ditë pasi Gjykata në Prishtinë vendosi lirimin e Limajt për rastin Kleçka

Serbia ka nxjerrë fletarrestim për ish-komandantin e UÇK-së, Fatmir Limajn, një ditë pasi EULEX-i e liroi atë nga akuzat për krime lufte në rastin Kleçka, pasi gjykata e cilësoi të pavlefshme dëshminë X. Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekariç, tha se Fatmir Limaj do të arrestohet sapo të dalë nga territori i Kosovës, sepse Serbia ka lëshuar një fletë-arrest ndërkombëtar kundër tij, për krime lufte. Kjo do të thotë që çdo polici ka detyrim ta arrestojë Limajn, sapo të dalë nga territori i Kosovës, tha Vekariç për të përditshmen serbe Blic. Sipas tij, Prokuroria serbe ka kryer hetime dhe ka intervistuar një numër dëshmitarësh në rastin Kleçka, për të cilin Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së ishin akuzuar. Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka urdhëruar lirimin nga paraburgimi të të gjithë të akuzuarve në rastin Kleçka, duke hedhur poshtë dëshminë dhe ditarët e Agim Zogajt, i cili njihej si Dëshmitari X, mbi të cilin ishte ngritur aktpadia. Por, deklaratat e Vekariç janë cilësuar nga zyrtarët në Kosovë si argument fushate elektorale.
Zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, tha dje menjëherë pas deklaratës së Vekariç, se këto veprime të qeverisë së Serbisë janë skandaloze, duke shtuar se kjo do të ndikojnë negativisht në raportet Kosovë-Serbi. Besoj që veprimet e tilla të qeverisë së Serbisë janë skandaloze, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera me personalitete dhe udhëheqës të shquar të luftës për çlirim dhe pavarësi. Unë jam i bindur që Interpoli dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë nuk do të jenë pre e këtyre motiveve politike të Serbisë përballë personaliteteve tona, në veçanti ndaj rastit konkret të zotit Limaj, tha Kuçi, duke shtuar se është e qartë që Serbia po e shfrytëzon këtë për motive politike.

Dëshmia e Dick Marty
Prokurori special i Bashkimit Europian, Xhonatan Ratel, në seancën e djeshme gjyqësore për trafik organesh në Prishtinë, të rastit Medicus, ka kërkuar që të thirret në cilësinë e dëshmitarit, raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty. I kam të gjitha arsyet të besoj se Marty ka evidencën për këtë rast, tha dje prokurori Ratel. Mbrojtja e kundërshtoi kërkesën e prokurorit.

Hoxhaj në vend të Tahirit
Kryeministri Hashim Thaçi po mendon të zëvendësojë kryenegociatoren e deritashme, Edita Tahiri, me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj. Kryeministri pretendon që ta shkarkojë Editën, duke emëruar Hoxhajn, e në Ministrinë e Jashtme do të vendoset ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, sipas burimeve të gazetës Zëri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›