E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet magazina, vdes 4-vjeçari dhe plagoset daja

07/03/2012  Grabitja e hekurit shkak për rënien e objektit. I mituri jetonte me gjyshërit, prindërit u divorcuan

BERAT- Shembja e një magazine, e ish- rezervave të shtetit i ka marrë jetën mesditën e djeshme një fëmije 4 vjeç, ndërkohë që ka ngelur i plagosur daja i tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të ditës së djeshme në fshatin Lapardha 2 të komunës Otllak në rrethin e Beratit. Vogëlushi katërvjeçar me inicialet F. B mësohet se ka qenë duke luajtur në ish-magazinat e shtetit në kohën që objekti është shembur krejtësisht. Ka qenë daja i fëmijës H. Gjeli, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes dhe ka dashur t’i japë ndihmën e parë nipit të tij, duke e nxjerr nga rrënojat, por pa mundur t’i shpëtojë jetën, ndërkohë që ka ngelur dhe vetë i plagosur.

Ngjarja

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar me shpejtësi dhe banorë të tjerë të fshatit, të cilët kanë transportuar drejt spitalit të plagosurin H. Gjeli, 35 vjeç, ndërkohë që trupi pa jetë i vogëlushit ka mbërritur drejt morgut të spitalit të Beratit. Shtetasi 35 vjeç ndodhet në repartin e urgjencës në spitalin e Beratit ku është duke marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vogëlushi që jetonte në banesën e gjyshërve në fshatin Lapardha pas divorcit të prindërve mësohet se në momentin që është shembur objekti ka qenë duke luajtur në hyrje të magazinës. Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur me urgjencë forcat e repartit të zjarrfikëses dhe shpëtimit dhjetëra uniforma blu, të cilët kanë nisur kërkimet nën rrënojat e magazinës për të verifikuar dyshimet për të tjerë viktima. Për dy orë punonjësit e shërbimit të zjarrfikëses dhe shpëtimit kanë hequr sasi të mëdha guri dhe dherash, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka pasur fëmijë të tjerë nën rrënoja. Marrja e hekurave për skrap nga ana e banorëve të fshatit tek ish-magazinat e rezervave të shtetit duket se ka ndikuar në rënien e papritur të kësaj godine, e cila është rrafshuar me tokën. Vitet e fundit këto objekte të ish kooperativave dhe rezervave të shtetit kanë rënë pre e grabitjeve për skrap, çfarë dyshohet të jetë bërë shkak për shembjen e saj. Në vendin e ngjarjes ekspertët e policisë ende po punojnë për zbardhjen e plotë motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë që i mori jetën një fëmije 4-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›