Shiu dhe stuhitë në vend, bllokojnë prej tre ditësh lundrimin e anijeve në det
e punës në porte. Në Vlorë, kushtet e paqëndrueshme të motit që po mbizotërojnë prej tre ditësh në gjirin detar të këtij qyteti, do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot. Situata sinoptike do të karakterizohet nga vranësira të dendura dhe reshje të përkohshme shiu, veçanërisht në pjesën e parë të ditës. Burime nga portuali i këtij qyteti bëjnë me dije se vlerat e temperaturave do të shënojnë një ulje tjetër të lehtë krahasuar me një ditë më parë, ndërkohë që kushtet e lundrimit do të jenë të pafavorshme për mjetet e vogla si, peshkarexhat, që prej tre ditësh nuk dalin për gjueti. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Jugperëndim, me shpejtësi që do të variojë nga 6-8 m/sek, deri në 10-12 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 20-22 gradë celsius dhe ato minimale në 11-13 gradë celsius. Valëzimi parashikohet të jetë 2-3 ballë brenda gjirit detar dhe 6-7 ballë në det të hapur. Pavarësisht kësaj situate, trageti Red Star i linjës detare Brindisi-Vlorë, pritet të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës. Në Durrës, pavarësisht moti të paqëndrueshëm me reshje lokale dhe erë të fortë që pritet do të mbizotërojë edhe sot, kushtet detare krahasuar me 48 orët e fundit kanë nisur të përmirësohen. Siç bëjnë me dije burime zyrtare nga kapitaneria e portit më të madh të vendit, në orët e para të mëngjesit kanë mbërritur nga porti i Barit (Itali) dy tragete me kamionë dhe udhëtarë, ndërsa për shkak të detit të trazuar, natën e kaluar nga Durrësi drejt Barit janë nisur vetëm dy nga katër tragetet e parashikuar. Burimet bënë të ditur se dy tragete dhe një pjesë e anijeve tregtare kanë qëndruar në radën e portit të Durrësit për arsye sigurie. Valëzimi sot nuk e kalon forcën 3 brenda gjiut detar, thanë burimet, sipas të cilave, gjatë ditës kushtet detare do të përmirësohen edhe më tej. Dy ditët fundit gjiu detar i Durrësit dhe ai i Vlorës u përfshinë nga stuhi dhe shtrëngata shiu, ndërsa në Durrës deti me forcë 7 ballë shkaktoi edhe daljen në cekëtinë të një anije tregtare.
Rrëshqitjet e dheut mbi hekurudhën e Librazhdit bllokojnë lëvizjen e trenit
Pasditen e sotme si pasojë e rrëshqitjes masive së dheut mbi hekurudhë në Librazhd, është bllokuar edhe lëvizja normale e trenit të linjës Tiranë-Pogradec. Rrëshqitjet e dheut në këtë segment kanë ardhur si pasojë e reshjeve të rëna ditët e fundit. Mësohet se treni i nisur nga Tirana është bllokuar për rreth 2 orë në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, ndërkohë që mësohet se po punohet për pastrimin e hekurudhës. Ndërkohë që pritet transportimi i udhëtarëve me mjete të tjera, pasi paralel me hekurudhën ndodhet rruga automobilistike.