E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shkojmë” me 10 bende

10 bendet më alternative të trevave shqiptare. Të gjithë të mbledhur brenda një kompilacioni i quajtur “Shkojmë”.

Që nga nesër tregut të muzikës në Kosovë do t’i shtohet një Cd, e cila përmban këngët e bendeve si Dizzies, Super 700, Freelancers, Ambasadi, Bloody Foreigners, Linda në botën e çudirave, Ora 3, Blla Blla Blla, Glasses dhe Tek.

Është muzikanti Dritëro Nikqi, i cili ka qenë njëri prej personave të shumtë që kanë kontribuar, së bashku me bende, që përfundimisht të dalë kjo CD.

“Nuk ka qenë patjetër ide e imja për ti mbledh këto grupe në kompilacion. Më shumë është diçka që ndodhi si rrjedhoje e ngjarjeve të fundit në gjysmë skenën tone. Super 700 erdhën në Prishtinë, indie bendet tona të Prishtinës e krijuan njëfarë lidhjeje vëllazërore me homologet e Tiranës, Fatosi i Ambasadit është basist në Bloody Foreigners të cilët i kam përcjellë në Londër”, tregon Nikqi.

Për kompilimin e kësaj CD-je është punuar gjatë gjithë sezonit dimëror ndërsa bendet kanë qenë tepër bashkëpunues dhe tepër profesional në punën e tyre.

“Ndoshta elementi më i mirë në këtë proces ka qenë energjia dhe entuziazmi i bendeve. Situatë shumë e relaksuar gjate incizimeve duket që ka qenë fakti se nuk e kane pasur stresin e zakonshëm kur është në pyetje albumi ose single i tyre”, tha Nikqi.

Si pjesë e këtij entuziazmi duket të ketë qenë edhe koha e shkurtër prej dy ditëve që kanë pasur bendet për ti incizuar këngët.

Këngët të cilat janë në këtë kompilacion, a janë të prodhuara ekskluzivisht vetëm për këtë kompilacion apo ato këngë janë pjesë e albumeve të bendeve ?

“Në kompilacion gjinden 10 këngë origjinale dhe të papublikuara të secilit bend. Super 700 në këtë rast u paraqit me këngën tradicionale / burimore "Kur jam kanë nji vakt i ri" e cila është përjashtimi i vetëm. Ka pasur edhe bende që kanë punuar këngën vetëm për këtë rast, si Blla Blla Blla me këngën "E keqja keq me la", kënga e parë që e kanë shkruar si bend në formacionin e ri. Dmth krejt është taze”, shpjegon Nikqi.

Ku do të shitet dhe distribuohet CD-ja ?

“CD-ja e "Shkojmë!" do te epet falas të premten(sot) në koncertin promovues, kopjet që mbesin prej të premtes do të shpërndahen nëpër vendet e zakonshme ku gjenden CD-të ose librat. Përndryshe duhet me përmend që do të ketë një limited edition me kopertine të punuar me dorë nga artistë të ndryshëm”, tregon Nikqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›