E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Morava”, policia shqiptare kërkon informacion



Policia shqiptare iu ka kërkuar homologëve të tyre italianë informacion në lidhje me ngjarjen e fundit, në të cilën u arrestua ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Zyhdi Morava. Megjithatë, ende nuk ka ardhur asnjë informacion zyrtar nga vendi fqinj, pasi sipas burimeve të policisë, Morava është në procesin e hetimit dhe deri në përfundim të tij nuk lejohet dalja e asnjë lloj informate.

Vetë policia italiane nuk ka dhënë detaje rreth dëshmive apo alibisë së Moravës, për shkak të hetimeve për të zbuluar rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike. Pas arrestimit, shkrimtari shqiptar është transportuar në burgun Bolzanos, ku do të vazhdojë të qëndrojë deri në zbardhjen e kësaj çështjeje. Sipas policisë italiane, Morava akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërsa vlera e drogës së sekuestruar, sipas autoriteteve italiane, kapte shumën prej 4 milionë eurosh. Sipas mediave italiane, shkrimtari dyshohet ta ketë marrë drogën në Holandë. Sipas agjencisë ANSA, ai ishte nisur me makinën e tij nga Holanda në drejtim të Italisë. Në Gjermani, konfirmohet që Morava të ketë bërë një ndalesë, pasi ka pësuar një defekt në makinë. Automjeti i tij ka lëvizur me karrotrec në Zvicër prej kufirit në Brennero, ka hyrë në territorin italian. Në Brennero, një patrullë e policisë ka ndaluar karrotrecin për të kontrolluar dokumentet e kamionçinës dhe makinës që ndodhej në të. Disa kontradikta në këto momente mes shoferit të karrotrecit dhe shkrimtarit, reagimet nervoze dhe një gjendje paniku i këtij të fundit, kanë nxitur agjentët e patrullës për një kontroll të hollësishëm. Dhe policët e patrullës kanë goditur në shenjë, pasi në dyert e makinës së Moravës mbi karrotrec kanë gjetur të ambalazhuar 9 kilogramë lëndë narkotike të tipit kokainë. Shkrimtari është shoqëruar menjëherë në ambientet e paraburgimit të rajonit të policisë së Bolzanos.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›