E Diel, 1 Nëntor 2026

Shnajder drejt Mançesterit, por Interi nuk lëkundet

Kalimi i Uesli Shnajder te Mançester Junajtid duket tashmë një fakt për mediat angleze, ndonëse drejtuesit e Interit vazhdojnë ta mohojnë këtë.

The Sun shkruante sot në edicionin on-line se “Djajtë e Kuq” janë shumë pranë firmosjes së akordit për blerjen e organizatorit holandez, duke i dhënë Interit një shumë prej 40 milionë eurosh dhe Shnajderit një rrogë prej 7 milionë neto në sezon. E ndërkohë, drejtori i merkatos zikaltër Marko Branka përgënjeshtron gjithçka: “Doni t’ju them se Shnajder është i pashitshëm? Po e them: është i pashitshëm”, u shpreh ai. Por, duket se vetëm për momentin.

Fjalët e fundit të Aleks Ferguson lënë shumë shteg për interpretime. “Pas tërheqjes së Skols, - thotë skocezi, - është e qartë se kemi nevojë për përforcime në këtë rol. Nëse mendoj për më të mirët në botë, më vijnë ndërmend Ksavi, Iniesta, Shnajder dhe Nasri. Nasri megjithatë nuk do të vijë, sepse më duket se ka arritur një akord për të shkuar diku. Kurse për Shnajder nuk mund të them asgjë”.

Gjithçka e qartë: Nasri do të shkojë te Siti, Ksavi e Iniesta vështirë se do të lëvizin nga Barcelona, kështu që mbetet Shnajder. “Nuk kemi pasur asnjë ofertë zyrtare dhe nuk kemi ndërmend ta marrim fare në konsideratë. Mendja jonë është duke punuar për gjëra të tjera dhe jo për kërkesat për Shnajder, që ne nuk i diskutojmë”, sqaroi më tej Marko Branka.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›