Shoshori Berisha, dëshmimtar në gjyqin tim
Në një intervistë dhënë në dhjetor të vitit 2002, për gazetën "Plaga", organi i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë, Hysen Sheshori rrëfen se në sallën e gjyqit, nga ku mori dënimin me vdekje, nuk ka pasur një dëshmitar dosido, por vetë Sali Berishën. Ai sqaron se pastaj iu fal jeta dhe dënimi u kthye në 25 vjet.
Z. Hysen, cili ishte motivi që ju shtyu t'u kundërviheshit regjimit duke vënë trakte?
Cënimi i pronës private, që për mua ishte i shtrenjtë. Sepse ishte e lidhur me dinjitetin tim dhe me qenien time; ishte arsye kryesore që më detyroi të bëj këtë veprim, duke iu përgjigjur në këtë formë. Ajo pronë e vogël ishte për mua atdheu im, të cilin ma mohuan.
Z. Hysen, çfarë përmbajtje kishin traktet tuaja dhe, a kishin ndonjë shenjë dalluese ato?
Nga viti 1961 deri në vitin 1974 ishte një kohë e përzier me urrejtje, e cila më shtyu që ta shpreh atë me ngjitjen e parullave, nga e cila ndjeva një farë sadisfaksioni personal edhe për shumë viktima të tjera, duke i bërë thirrje asaj pjese të pastër të popullit shqiptar për një luftë kundër partisë shtet.
Z. Hyseni, ju lutemi mund të na thoni si u zhvillua gjyqi dhe a i mbani mend dëshmitarët?
Në një sallë ku morën pjesë rreth 300 persona me një trup gjykues të papranueshëm dhe me një gjendje fizike jo normale, si pasojë e torturave gjatë hetimit, për avokat as bëhej fjalë, unë dola para trupit gjykues. Gjatë gjykimit pashë shumë dëshmitarë që nuk i njihja, të cilët bënin dëshminë të frikësuar dhe pa më parë mua. Në mendje më mbeti vetëm njëri, që ishte i veçantë nga të tjerët. Trupgjatë dhe energjik, me hap të sigurt u paraqit për dëshmitar. Ai u ndal para trupit gjykues dhe pas formaliteteve, me një theks malësori, me eufori, filloi të flasë para trupit gjykues duke treguar se si e kishte gjetur traktin që kishte përmbajtje të theksuar armiqësore, të cilin e tundte para trupit gjykues dhe sallës..."Ky njeri është armik i betuar i partisë, prandaj duhet të varet në litar", - tha ai duke bërtitur. Mua, më shumë se kërkesa e tij për të më varur në litar, më bëri përshtypje mënyra e ndërtimit të dëshmisë, që ishte e njëjtë me atë të hetuesve që më torturonin dhe më kryesorja, trakti që ai e nxori nga xhepi ishte i vitit 1962, ndërsa unë po gjykohesha në vitin 1975. A mund të guxonte njeri që ta mbante një trakt të tillë në atë kohë për 13 vjet?
Po kush ishte ky njeri?
Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për me arrit në majat më të larta të hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Ram Berisha.
A jeni i sigurtë z. Hysen?
Unë mund t'ju them që asnjëherë nuk mund të harrohet bisha që të kafshon.
Sa vjet u dënuat dhe sa bëtë?
Fillimisht u dënova me vdekje, pastaj m'u fal jeta dhe dënimi u kthye në 25 vjet. Nga këto, bëra 17 vjet pa asnjë ndihmë.
Z. Hysen, si e ndjetë veten kur kryetari i PD-së dhe më pas kryetari i shtetit ishte dëshmitari juaj, që kërkoi t'ju varnin në litar për veprimtarinë tuaj antikomuniste?
Kur dëgjova nëpërmjet radios se në Europën Lindore po frynte era e lirisë, s'kish si të mos gëzohesha, por kur pashë se në krye të atyre që protestonin ishte njeriu që më ka mbetur i ngulitur si simbol i pjesës më të keqe të këtij populli, fërkova sytë se nuk po u besoja. Shumë njerëz gëzoheshin, ndërsa unë i thosha vetes: "Medet, po shpëtojmë nga shiu, e po biem në breshër". Unë jo vetëm që nuk i kisha bërë ndonjë të keqe, por as nuk e njihja fare, ndërsa ai që më shihte për herë të parë, m'u vërsul me akuza si bisha që do të shqyejë prenë e vet.
Si dhe ku jetoni?
Që nga dita e "transferimit prej burgut izolues në ambientet e burgut të hapur 17 mars 1991 e deri sot, duke mos m'u kthyer dinjiteti që është i lidhur me pronën. E kaloj natën tek një dashamirës i imi që është dhe shok vuajtjesh, ndërsa ditën e kaloj në Bibliotekën Kombëtare dhe pjesën tjetër, meqë jam i lodhur nga vuajtjet dhe mosha, e kam të nevojshme që të pushoj, prandaj në drekë e tremb gjumin me syhapur stolave të parqeve dhe bordurave të rrugëve.
Po sot, si e ndjeni veten?
Sot duket se jam i gjallë, por kjo nuk do të thotë që jetoj.