E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria marrëveshje me EUROPOL-in

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe EUROPOL-it do të ngrihet tashmë në një nivel edhe më të lartë. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it Rob Wainwright nënshkruan në Hagë, marrëveshjen për bashkëpunim strategjik mes Shqipërisë dhe EUROPOL-it. Marrëveshja synon të forcojë komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi veprimtaritë kriminale mes zyrës së EUROPOL-it dhe autoriteteve policore shqiptare.
Kjo marrëveshje përcakton gjithashtu edhe mënyrat e format e bashkëpunimit për realizimin e operacioneve të përbashkëta, kryesisht ato ndërkufitare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.
Ministri Basha e cilësoi realizimin e kësaj marrëveshjeje një hap të rëndësishëm për Shqipërinë si në nivelin operacional të shkëmbimit të të dhënave edhe në nivelin institucional të reformimit të Policisë së Shtetit.
Basha tha se Shqipëria është e vendosur në politikën e saj me tolerancë zero në luftën ndaj krimit të organizuar. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it Rob Wainwright shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit midis EUROPOL-it dhe autoriteteve shqiptare për luftë kundër krimit të organizuar dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe rolin e saj udhëheqës në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale. Gjatë qendrimit në Hagë, ministri i Brendshëm Lulzim Basha pati një drekë pune me Ministrin e Çështjeve Europiane të Holandës, i cili e siguroi ministrin Basha për mbështetjen e plotë që Holanda i ka dhënë dhe do të japë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›