E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia meriton statusin e kandidatit

Komisioni i punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ka shqyrtuar draft-raportin e eurodeputetit Nikolaos Chountis mbi integrimin europian të Shqipërisë. Një draft-raport për të cilin janë paraqitur 141 amendamente. Ato kryesoret janë amendamentet  1 dhe 2  të cilat flasin për mbështetjen e qartë të Parlamenti Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe përgjegjësinë e klasës politike për të treguar pjekurinë dhe seriozitetin e duhur në përmbushjen e tre kushteve të mbetura pezull

“Së pari, raporti reflekton mbështetjen e Parlamentit për statusin e kandidatit për Shqipërinë të kushtëzuar me përmbushjen afatshkurtër e tre kritereve të mbetura dhe qëndrueshmërinë e bashkëpunimit politik në Kuvendin e Shqpërisë. Së dyti, raporti bën të qartë, se zgjedhjet parlamentare të 2013 janë shumë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë dhe një test i rëndësishëm i pjekurisë politike shqiptare’, u shpreh eurodeputeti Boris Zala.
Në gjykimin e eurodeputetes Marije Cornelissen amendamentet e para janë kyçe. “Për ne klima politike dhe bashkëpunimi i forcave politike mbetet një nga shqetësimet kryesore për integrimin europian të Shqipërisë. Ne jemi në favor  gjithashtu të amendamentimit numër 1 për mbështetjen e statusit të kandidatit, por kur kushtet të përmbushen tërësisht”, vlerësoi ajo.

Nga ana e tij, eurodeputeti Kristian Vigenin i bëri apel qeverisë dhe opozitës që të gjejnë shpejt një zgjidhje për kushtet e mbetura, pasi një kompromis është i mundur, duke qenë se nuk bëhet fjalë për çështje kaq të mëdha.

Gjithashtu dhe eurodeputeti Eduard Kukan, duke shprehur dakordësinë e tij me me amendamentet, i mëshoi faktit se “fjala kyçe është plotësimi i kushteve të mbetura. Aprovimi dhe zbatimi janë fjalë që duhet të shoqërojnë të gjithë raportin”.

Amendamentet reflektojnë qëndrime të ndryshme  të grupimeve politike për nevojën e forcimit të sistemit të drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, rritjen e performancës të administratës  shqiptare, përmirësimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri apo ruajtjen e mjedisit.

“Përtej kësaj, Shqipëria përballet me sfida të mëdha në adaptimin e standarteve europiane: forcimit të sistemit të drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, cilsinë e administratës  shqiptare, përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave sociale, por ka një dritare oportuniteti për ta çuar vendin në një stad më të zhvilluar të integrimit në muajt që vijnë”, veçoi eurodeputeti Zala.

Ndërsa Cornelissen theksoi rëndësinë e planit kombëtar për trajtimin e mbetjeve. “Nuk e  imagjinoj dot mosplotësimin serioz të këtij plani, pasi problemi i mbetjeve në Shqipëri është një problem shumë serioz”, u shpreh ajo.

Ndërkohë që Kukan vlerësoi se “ngjarjet e 21 janarit duhet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe të duhur, duke kryer hetime gjyqësore të pavarura, nëse nuk bëhet kjo, nuk është në të mirën e shoqërisë shqiptare”. 
 Votimi i raportit në Komisioni është fiksuar për datën 22 nëntor. Ndërkohë që Parlamenti pritet të votojë rezolutën për Shqipërinë në seancën plenare të dhjetorit për ti përçuar një mesazh të qartë shteteve anëtare të BE-së në mbështetje të statusit të kandidatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›