E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria superfuqi rajonale"

07/05/2010 Prifti për energjinë

“Do ta kthejmë Shqipërinë në superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme”, - ka deklaruar dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti gjatë fjalës së mbajtur në Forumin e Krans Montanës, që po zhvillohet në Tiranë. Duke ftuar investitorët e huaj të investojnë në sektorin energjetik shqiptar, ai bëri me dijeni faktin se siguria e furnizimit me energji elektrike është prioritet absolut i qeverisë shqiptare. Ministri i Ekonomisë përmendi faktin se vetëm në dy vjetët e fundit janë dhënë koncensione të reja për prodhimin e 900 MV energji nëpërmjet hidrocentraleve, ndërkohë që ka të paktën 2000 MV kapacitet energjetik që duhet të shfrytëzohet. Objektivi numër 1 sipas tij mbi sektorin energjetik është që të realizojë furnizimin me energji elektrike, duke mbështetur rritjen ekonomike me të paktën 6 për qind në vit. “Ndërsa objektivi i dytë është që Shqipëria të bëhet për 5–6 vjet vendi me energjinë më pak të shtrenjtë në rajon. Objektivi konsiston në atë që ne ta shesim energjinë me çmimin më të ulët.” Ndërkohë që objektivi i tretë, sipas tij, dhe më i rëndësishmi, është kthimi i Shqipërisë në një superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme. Shndërrimi i energjisë në mallin më të importueshëm ka qenë një nga iniciativat e qeverisë “Berisha” që në mandatin e parë të saj.

Bërthamorët

Një tjetër mundësi për prodhimin e energjisë në masë është dhe ngritja e centraleve bërthamore në vend. Shteti më i interesuar deri më tani ka qenë Italia, por kjo ide e hedhur nga kryeministri ka shkaktuar jo pak debat në vend.

Koncesionet

Në të gjithë vendin deri tani janë dhënë mbi 200 konciensone për HEC-e të vegjël në të gjithë vendin. Efekti do dhe pak kohë të ndihet plotësisht, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe koncesionet për ngritjen e HEC-e të mëdhenj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›