Shtyhet rigjykimi i rastit Bytyqi
Rigjykimi i dy policëve serbë, të akuzuar për vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi në vitin
1999, është shtyrë për 6 korrik.
Të dy policët ishin liruar si të pafajshëm nga një gjykatë serbe për krime lufte në vitin 2009, për rolin e tyre në vrasjen e nënshtetasve amerikanë me origjinë nga Kosova, në korrik të vitit 1999. Prokurorët ndërkohë apeluan vendimin dhe Gjykata Supreme urdhëroi rigjykimin.
Siç njoftojnë mediat serbe, të premten është dashur të riniste gjykimi, por gjykatësit e shtyen rastin për shkak të mosshfaqjes së avokatëve në gjykatore.
Policët Sreten Popovic dhe Milosh Stojanovic akuzohen se i kanë marrë vëllezërit Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi, nga burgu në Prokuplje, dhe se ua kanë dorëzuar policëve tjerë, të cilët pastaj i kanë vrarë. Identiteti i vrasësve kurrë nuk ka dalë në sipërfaqe.
Në kohën kur u arrestuan nga policia serbe në Merdare, të tre vëllezërit thuhet se po vizitonin nënën e tyre.