E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata zgjedhore e qetë, incidentet të izoluara

09/06/2009  OSBE–ODIHR-i publikon konkluzionet e vëzhgimit nga 22 maji deri më 3 qershor

Administrata në mitingje, mbërrijnë ankesa për kërcënime largime nga puna

“Situatë zgjedhore përgjithësisht e qetë dhe paqësore, me disa incidente të izoluara. Fushatë e shoqëruar nga një gjuhë e ashpër dhe akuza të ndërsjella.” Ky ka qenë thelbi i raportit të dytë parazgjedhor që OSBE–ODIHR-i ka publikuar dje. Ndryshe nga detajet e raportit të parë, në këtë raport një vëmendje e veçantë u është dhënë ankesave të qytetarëve adresuar te kjo organizatë ndërkombëtare, të cilat OSBE–ODIHR-i siguron se po i ndjek me vëmendje. “Në OSBE–ODIHR kanë mbërritur ankesa se në inaugurimin e tunelit në Kalimash kanë marrë pjesë punonjës të administratës publike. Po ashtu pranë OSBE–ODIHR-it kanë mbërritur ankesa për presione ndaj punonjësve të administratës nga disa parti të opozitës, duke përfshirë kërcënime se mund të humbasim vendet e punës, në qoftë se nuk marrin pjesë në aktivitetet e tyre politike. PBDNJ-ja ka thënë se 18 nga mbështetësit e saj kanë humbur vendet e punës në rrethana politike, pasi kjo parti doli nga koalicioni me PD-në dhe iu bashkua PS-së”, - thuhet në raport. Për sa u takon kartave të identitetit, në raport thuhet se përpjekjet për të pajisur qytetarët me to janë të vazhdueshme. “Që prej 30 majit vetëm qytetarët që nuk kanë pasaportë dhe që nuk mund të votojnë lejohen të aplikojnë për kartat e identitetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, rreth 1.17 milion aplikues kanë marrë kartat”, - vijon raporti për këtë çështje. Ai përmend edhe akuzat e vazhdueshme të opozitës, e cila ka vlerësuar se me këtë proces nuk është punuar ashtu si duhet dhe se më 1 qershor ndërmori akuza edhe kundrejt drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme për atë që PS-ja e vlerësoi si manipulim të të dhënave. Për sa i takon veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ODIHR-i ka vlerësuar punën e këtij institucioni me në krye Arben Ristanin, por thekson se në disa vendimmarrje ai ka qënë i ndarë sipas përkatësive partiake. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me përgatitjet për zgjedhjet. Me gjithë përpjekjet e kryetarit për të arritur konsensusin kur është e mundur, KQZ-ja vazhdon të mbetet e ndarë dhe pothuajse të gjithë diskutimet vendosen sipas ndarjeve partiake”, - thekson OSBE–ODIHR-i. Lista përfundimtare e zgjedhësve ka qenë një tjetër çështje e vëzhguar nga kjo organizatë. Raporti thotë se vetëm 19 nga 59 KZAZ-të e kontaktuara më 30 maj kanë konfirmuar se kanë marrë në dorëzim tri kopje të listave përfundimtare të zgjedhësve. “Shumë KZAZ nuk ishin të sigurta nëse kanë burime fizike për të publikuar listën e votuesve pranë qendrave të votimit nën juridiksionin e tyre. Disa sugjerojnë se mbështetja nga administrate lokale do të jetë e nevojshme”, - deklarohet në raport.

Ndarja e KQZ-së

OSBE–ODIHR-i ngre shqetësimin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të mbetet i ndarë mes mazhorancës dhe minorancës mbi çështje të ndryshme mes katër anëtarëve të caktuar nga shumica parlamentare dhe tre anëtarëve të caktuar nga partitë e opozitës. “Shumica e çështjeve të debatuara janë adaptuar me votim katër kundër treve. Gjithsesi, kryetari i KQZ-së po bën përpjekje për të konsultuar të gjithë anëtarët dhe të arrijë konsensusin kur të jetë i mundur. Shumica e diskutimeve kontroversale në KQZ lidhen me procedura apo interpretime mbi Kodin Zgjedhor”, - thuhet në raport. Për sa u takon përfaqësuesve të partive politike në KQZ, për këtë organizatë ato kanë përdorur në mënyrë të gjerë të drejtën për të bërë propozime gjatë mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Publikimi i listave

Shumë KZAZ nuk janë të sigurta nëse kanë burime fizike për të publikuar listën e votuesve pranë qendrave të votimit. Ato kërkojnë për këtë mbështetjen e administratës lokale.

Kolegji Zgjedhor

Raporti përmend edhe rastet e animimit të disa vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor, si dhe rolin medies gjatë pasqyrimit të fushatës elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›