E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali turk prek edhe kuqezinjtë

Skandali i kurdisjeve në kampionatin turk së fundmi ka përfshirë edhe ndeshjet e Kombëtares së Turqisë. Në mesin e 12 përballjeve të dyshimta është edhe ajo ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë (2:0), e zhvilluar më 2005. FIFA ka filluar hetimet. Nga Express më 31 korrik 2011 në ora 14:07

Skandali i kurdisjes së ndeshjeve, që tronditi futbollin turk, vazhdon të zgjerohet, pasi FIFA ka nisur një hetim për disa takime të përfaqësueses së këtij vendi të dekadës së fundit. Në total dyshohen 12 ndeshje, ndërsa mes tyre figuron edhe takimi Turqi-Shqipëri 2-0 në vitin 2005.

Gjithçka ka ardhur pas deklaratave të ish-presidentit të Samsunsporit, Ismail Ujanik, i cili ka akuzuar Federatën dhe ekipin kombëtar të Turqisë se janë përfshirë në manipulimin e rezultateve.

“Kam informacione se Federata turke ka bërë lojë të pistë në disa ndeshje”, tha ai gjatë një interviste për gazetën “Radikal”.

“E di që për disa ndeshje të Kombëtares janë paguar parà, të cilat u janë dërguar disa pjesëtarëve të ekipeve kundërshtare apo gjyqtarëve në mënyrë që Turqia të fitonte ndeshjet. Përse askush nuk flet rreth kësaj çështjeje, edhe pse e dinë çfarë ka ndodhur? Të gjithë veprojnë si struci, duke fshehur kokën në rërë”.

Sipas medieve të ndryshme, kurdisja e rezultatit ka ardhur jo vetëm nëpërmjet parave, por edhe me premtime, dhurata apo shantazhe që u janë bërë gjyqtarëve dhe futbollistëve që militonin në kampionatin turk.

Gazeta “Akşam” shkruante se FIFA ka nisur hetimin rreth dyshimeve për kurdisje të rezultatit, ndërsa do të merren në pyetje disa gjyqtarë, zyrtarë dhe lojtarë që luanin në Ligën turke, ndërkohë që janë ndeshur me Turqinë.

Në këtë listë janë përfshirë edhe ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi, mesfushori Klodian Duro dhe mbrojtësi Elvin Beqiri. Dy të parët aktivizoheshin në Turqi, ndërsa Beqiri ishte lojtari që realizoi autogolin e pafat në humbjen 2-0. Më tepër sesa të akuzuar direkt, lojtarët e Shqipërisë pritet të pyeten për presione të mundshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›