Skënderbeu dhe Tirana, fitoret shtëpiake në Kupë
Jeton Selimi
Tirana u është imponuar krutanëve në pjesën e dytë, duke realizuar dy herë në 15 minutat e fundit të takimit. Gilman Lika dhe blerja më e fundit, Florent Aziri janë autorët e dy golave. Skënderbeu fiton me vështirësi me Laçin, por sidoqoftë e sheh veten në krye të grupit me pikë të plota. Xhafaj dhe Shkëmbi hedhin poshtë avantazhin e përkohshëm të kurbinasve.
Skënderbeu ka përmbysur Laçin, duke marrë fitoren e dytë në ndeshjen e dytë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Gjashtë pikë të plota për kampionët e vendit në fuqi, që kryesojnë grupin B, duke qenë pa asnjë dyshim, kandidatët numër një për të kaluar në gjysmëfinale. Sfida e radhës e tyre, për fat të mirë të kuqebardhëve, luhej në fushë asnjanëse me Laçin, pasi ky i fundit është i dënuar nga Disiplina prej disa javësh. Kësisoji, në Selman Stermasi, pa praninë e asnjë tifozi, por në kushte disi të rënduara nga kushtet atmosferike, nga shiu që nuk ka pushuar gjatë tërë lojës, Skënderbeu e ka pasur disi të vështirë të dilte në lojën e vet, me topa të shtruar e kombinime strikte mes lojtarëve. Në fakt, Laçi e mbylli pjesën e parë të lojës në avantazh 1-0 me golin e Sefgjinajt në të 33-ën, pavarësisht dominimit të dukshëm të korçarëve. Pjesa e dytë e lojës nuk ka pasur histori: në fushë ishte vetëm Skënderbeu, që pavarësisht rasteve të shumta nuk arriti të shënonte për minuta me radhë, prej terrenit të vështirë në stadiumin Selman Stërmasi. Tentativat e kampionëve të Shqipërisë u shpërblyen në të 79-ën, me golin e parë të Daniel Xhafajt, ndërsa vetëm 2 minuta më pas, ishte kapiteni Bledi Shkëmbi ai që shënoi rrjetën e fitores, me një 11-metërsh të fituar nga Plaku. Skënderbeu ngjitet në kuotën e 6 pikëve dhe me një fitore në ndeshjen e tretë kundër Vllaznisë mund të quhet virtualisht i kualifikuar
Tirana i kthehet zakonit në Kupë, pasi ka mposhtur 2-0 Kastriotin dhe për momentin kryesojnë Grupin A me 4 pikë dhe presin sfidën e nesërme mes Kamzës dhe Bylisit. Ritmi i kësaj sfide ishte nën nivelin mesatar, kjo edhe për shkak të terrenit të rënduar të stadiumit Qemal Stafa. Pjesa e parë ka përfunduar barazim 0-0 dhe në 15 minutat e fundit bardheblutë arrijnë të zgjidhin situatën në favorin e tyre. Në të 74-ën minutë Gilman Lika pas një galopimi nga e majta zhbllokon rezultatin. Nnë minutën e fundit pas një rrëmuje në zonën krutane i sapoardhuri te Tirana, kosovari Florent Aziri arrin të shënojë golin e dytë. I gjithë takimi përfundon me fitoren 2-0 të Tiranës së trajnerit Hulian Rubio.
Sot, Flamurtari do të presë Vllazninë dhe do të kërkojë të zhbëjë situatën prej -3 pikësh me një fitore, e cila do ta rikthente në valle për tu kualifikuar si vendi i dytë. Sidoqoftë, edhe shkodranët e Rudi Vatës nuk kërkojnë të humbasin hapin e korçraëve, duke qenë se ndeshjen e radhës ata do luajnë pikërisht me formacionin e Stanislav Levit.
Ndërkohë, në grupin A, Kamza do të presë Bylisin. Të dyja skuadrat kanë nga një pikë dhe në rast fitoreje do të mbërthenin Tiranën në krye të tabelës.
GRUPI A
Tirana Kastrioti 2-0
Shënues: G.Lika 74, Aziri 90
Sot
Kamza Bylis 15:30
Renditja
Skuadra N P
TIRANA 2 4
KAMZA 1 1
BYLIS 1 1
KASTRIOTI 2 1
GRUPI B
Laçi Skënderbeu 1-2
Shënues: Sefgjini 33 / Xhafaj 79, Shkembi 81 (11-m)
Sot
Flamurtari Vllaznia 13:00
Renditja
Skuadra N P
SKENDERBEU 2 6
VLLAZNIA 1 3
LAÇI 2 0
FLAMURTARI 1 -3