E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot vendoset drejtuesi i ri i demokratëve të Tiranës

18/05/2009  Bensik Mustafaj tërhiqet nga gara për kreun e degës së PD-së kryeqytetit

Zgjedhjet për kreun e ri të degës së Partisë Demokratike në Tiranë kanë pasur dje një tronditje. Kandidati Besnik Mustafaj ka deklaruar tërheqjen nga gara zgjedhore, por edhe nga politika aktive. Mustafaj, një ndër eksponentët kryesorë të PD-së, themelues i kësaj force politike, ish-ministër i Jashtëm dhe njeri me peshë në parti, ka argumentuar vendimin e tij duke thënë se vërejti mungesë të barazisë në garë. “Bindja ime është lëkundur mjaft, por kam pasur një shpresë të fundit se një normë, standard do të plotësohej, se ky proces historik për PD-në e Tiranës do të kishte tiparet e një gare. Tani mund të them me keqardhje të thellë se nuk ka asnjë element të një gare. Për arsye parimore unë njoftoj se do të tërhiqen nga kjo garë”, - ka deklaruar Mustafaj. Tërheqja e tij vjen vetëm një ditë para zhvillimit të konferencës së PD-së të degës së Tiranës, kur të deleguarit e seksioneve do të votojnë për të zgjedhur drejtuesin e tyre të ri. Lidhur me mbajtjen e konferencës Mustafaj tha se ishte informuar për zhvillimin e saj vetëm pak minuta më parë. Ai theksoi se priste që gara e brendshme të ishte e ndershme dhe ku të mos kishte shkelje të statutit të partisë. Ndërkohë në lidhje me largimin nga politika ai theksoi se ky nuk është vendim i prerë, duke lënë një dritare të hapur për t’u rikthyer pas 4 vjetve. Konferenca e PD-së së Tiranës do të mblidhet paraditen e sotme për të zgjedhur kryetarin e ri të degës së kryeqytetit. Mbledhja e sotme është vlerësuar shumë e rëndësishme nga lidershipi i PD-së. Nderkohe qe Aldo Bumçi mbetet kandidatura me mbështetjen me te madhe ne seline blu. Në garë janë disa kandidatë, si Lajla Përnaska, Edi Paloka, Gjergj Bojazh. Për të arritur në këtë konferencë janë zhvilluar shumë mbledhje të grup-seksioneve të PD-së, prej nga kanë dalë kandidatët për kryetar të degës. Ristrukturimi i degës së Tiranës është vlerësuar më vete nga degët e tjera, nisur nga rëndësia e madhe që ka kryeqyteti në funksion të zgjedhjeve parlamentare, pasi ka popullsinë më të madhe në vend. Në bazë të sistemit të ri zgjedhor, proporcional-rajonal, nga Qarku i Tiranës dalin 32 deputetë për parlamentin e ardhshëm.

Gara

Procesi për zgjedhjen në degën e Tiranës është bllokuar prej disa muajsh, megjithëse nga grup-seksionet janë propozuar shumë kandidatë, mes të cilëve ka ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë të institucione të rëndësishme.

Mustafaj

“Bindja ime është lëkundur mjaft, por kam pasur një shpresë të fundit se një normë, standard do të plotësohej, se ky proces do kishte tiparet e një gare. Tani mund të them me keqardhje të thellë se nuk ka asnjë element të një gare.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›