Spanja bëhet me qeveri të re

Qeveri e re spanjolle e Rajoy përbëhet nga 10 ministra dhe nga vetëm katër ministre, në mesin e të cilave është edhe e besuara e Rajoy, Soraya Saenz de Santamaria, e zgjedhur në postin e zëvendëskryeministres.
Ndryshe, në krye të Ministrisë së Financave, që konsiderohet posti i me përgjegjës në kohën kur Spanja po përballet me probleme të shumta financiare, është emëruar Luis de Guindos, ish-president i degëve të Bankës Lehman Brothers në Spanjë e Portugali. Nëpërmjet përzgjedhjes së tij Rajoy tenton të rifitojë besimin e tregjeve financiare, në hijen e planit të masave kundër krizës, të prezantuara disa ditë më parë.
Ministria e Jashtme i është besuar eurodeputetit, Josè Manuel Garcia Margallo, një ekspert ky i njohur i politikës evropiane, ndërkohë që ulësja e parë në Ministrinë e Punës iu ka ndarë Fatima Banez, avokate me profesion.
Kryeministri Mariano Rajoy është betuar para mbretit spanjoll, Huan Carlos, para se të bënte prezantimin zyrtar të qeverisë së re.