E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanoviq shef i ekipit serb në bisedimet me Kosovën

Nga Express më 21 janar 2011 në ora 16:35

Qeveria e Serbisë ka njoftuar të premten se për shef të ekipit në bisedimet Serbi-Kosovë ka emëruar drejtorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Borisllav Stefanoviq, ndërsa zëvendës i tij është Vlladan Joviçiq nga Ministria për Kosovë.

Në një konferencë për media, ministri për Diasporë, Srgjan Sreçkoviq ka thënë se ende nuk është caktuar data e fillimit të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria e Serbisë në përgjithësi ka përgatitur platformën dhe nuk ka asgjë kundër që ato të fillojnë nesër”, ka thënë ai, duke mos dashur të japë detaje nga platforma, por ka thënë se ajo do të bëhet publike në pajtim me atë se si do të rrjedhin bisedimet, duke mos dashur të rrezikojë pozicionin e Qeverisë së Serbisë.

Borisllav Stefanoviq është i lindur në Novi Sad më 1976. Ka punuar në ish-Ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë në vitin 2001, ndërsa më 2003 ka shkuar për shërbim në ambasadën në Uashington, si sekretar i tretë, me detyrën për të përcjellë aktivitetet e Kongresit amerikan. Në këtë funksion ka qëndruar katër vjet.

Stefanoviq ka marrë pjesë në negociatat për shitjen e Industrisë së Naftës së Nishit në vitin 2008, në negociatat me Izraelin në lidhje me blerjen e satelitit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›