E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi ndaj Thacit, SHBA e Britania dënojnë sulmin

PRISHTINE- Ndërkombëtarët kanë dënuar ashpër sulmin eskortës së kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi që ndodhi mbrëmë në Decan. Ndaj këtij sulmi PDSH e Thacit dhe AAK e Haradinajt e cila ka dhe pushtetin në Deçan kanë lëshuar akuza të ndërsjellta

Ambasada amerikane dhe ajo britanike kanë shprehur shqetësim për incidentin.

Ambasadori i SHBA-së, Christofer Dell tha se dhuna nuk ka vend në fushata, zgjedhje, apo procesin demokratik “ Pohimet lidhur me dhunën, të bëra nga një parti, assesi nuk i arsyetojnë përgjegjet e dhunshme nga të tjerët”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane që citon Bbc.

Ndërsa ambasadori britanik, Andy Sparks u ka apeluar AAK-së dhe PDK-së të tregojnë përmbajtje dhe mos të lejojnë që ky incident fatkeq të përshkallëzohet më tutje.

Ai nënvizoi se deri tani fushata eletorale ka qenë e qetë dhe e udhëhequr në frymën demokratike dhe për hir të Kosovës dhe reputacionit të saj, ajo duhet të vazhdojë të jetë e tillë.

Sejdiu
Edhe autoritetet vendore kanë dënuar ashpër incidentin. Presidenti Fatmir Sejdiu ka theksuar se veprimet që bien ndesh me ligjin, që cënojnë jetën apo sigurinë e të tjerëve, janë krejtësisht të papranueshme.- citon BBC.

Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe të gjithë qytetarëve të vendit që të sillen në mënyrë dinjitoze, të jenë të përmbajtur dhe të vazhdojnë të tregojnë kulturë politike, në mënyrë që zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë të jenë të suksesshme.

Në reagimin e qeverisë ftohen të gjithë nxitësit e dhunës që të ndalojnë këto sjellje, të kërkojnë falje dhe të sillen në frymën e demokracisë.

“Ndërhyrja në procesin zgjedhor, është një shkelje e rëndë dhe aktet kriminale te nxitura politikisht do të ndiqen penalisht nga organet përgjegjëse”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Incidenti në Deçan është më i rëndi gjatë fushatës për zgjedhjet lokale që mbahen të dielën. Policia ka arrestuar tre persona si të dyshuar në këtë ngjarje.

(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›