E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohen qendrat e Al Qaidës në Jemen

Të paktën 11 persona janë vrarë në një sulm ajror ndaj militantëve të Al Qaedës në jug të Jemenit, kanë njoftuar banorët dhe autoritetet lokale.

Një lider fisnor ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se të paktën katër nga të vdekurit ishin liderë të degës lokale të Al Qaedës.

Raportohet se ata janë sulmuar nga një aeroplan i telekomanduar në provincën e Abjanit, të cilën militantët islamikë filluan ta merrnin nën kontroll vitin e kaluar.

Forcat e sigurisë janë përpjekur më kot t’i largojnë ata prej andej, por vetëm sa kanë pësuar humbje të rënda në radhët e tyre.

Detajet e ngjarjes janë ende të paqarta, por disa raportime sugjerojnë se dy makina që udhëtonin njëra pas tjetrës janë qëlluar në lindje të qytetit të Laudarit.

Agjencia e lajmeve “AFP” ka mësuar nga burime fisnore se një pikë kontrolli dhe një shkollë, ku natën mbaheshin takime të krerëve të Al Qaedës, janë qëlluar katër herë gjatë natës.

Lideri rajonal i Al Qaedës, Abdul Monem al Fahtani është mes të vdekurve, kanë deklaruar burimet.

“Ne mendojmë se sulmet janë kryer nga aeroplanët amerikanë”, ka thënë për “AFP” një burim fisnor, që preferoi të mbetej anonim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›