Superliga nis me derbi
Skuadrat kosovare të mërkurën i kanë mësuar emrat e ekipeve kundërshtare për edicionin e ri, i cili nis më 20 gusht. Kjo pasi zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) para udhëheqësve të klubeve të mërkurën në Prishtinë e kanë tërhequr shortin për edicionin 2011/2012.
Kështu, garat kampionale në Superligë do të nisin me derbin mes rivalëve të kahershëm të futbollit kosovar, Vëllaznimit dhe Prishtinës.
Ky duel pritet të mbledhë numër të madh të shikuesve në stadiumin e qytetit në Gjakovë, sepse përveç që përballen rivalët e përbetuar, bëhet fjalë për një ndeshje mes dy ekipeve që pritet të luftojnë për titull të kampionit, Vëllaznimit të përforcuar dhe Prishtinës, e cila në edicionin e kaluar i lëshoi nga dora dy trofe, dhe gabimin synon ta korrigjojë sivjet.
Ndërsa kampioni në fuqi, Hysi në Merdarë do të përballet me KEK-un, i cili ka mbetur pa shumë futbollistë kryesorë.
Ndeshje tjetër interesante pritet të zhvillohet në Mitrovicë, ku Trepça do të takohet me Besën, derisa në Skenderaj Drenica do të luajë kundër Trepçës ’89. Në Gjilan, Drita e rikthyer nga Liga e Parë dhe e përforcuar do ta presë Lirinë e dobësuar.
Dy ekipet tjera që do të debutojnë në Superligë, Lepenci e Gjilani do të sfidohen në Kaçanik.
Sikurse në edicionin e kaluar, edhe sivjet garat kampionale të Superligës do të zhvillohen me sistem të njëjtë, përkatësisht në tri etapa, derisa do të zhvillohen gjithsejtë 33 xhiro.
Superliga - Xhiroja e parë
Drenica – Trepça ‘89
Drita – Liria
Vëllaznimi - Prishtina
Lepenci – Gjilani
Hysi – KEK-u
Trepça – Besa