E Shtunë, 31 Tetor 2026

TMK përfundon misionin 9-vjeçar

Prishtinë - Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK) përfundojnë të martën misionin e tyre nëntë vjeçar, duke ia hapur rrugën krijimit të Forcës Mbrojtëse të Kosovës (FSK), e cila që nga e mërkura, edhe zyrtarisht do të nisë aktivitetin e saj.

Një ditë para se zyrtarisht të shpallet shpërbërja e TMK-së, Presidenti I Kosovës, Fatmir Sejdiu u premtoi të gjithë atyre pjesëtarëve që kanë shërbyer për nëntë vjet në këtë institucion, se edhe më tej ata do të mbesin pjesë e misioneve të rëndësishme të shtetit të Kosovës.

Presidenti kosovar tha se kjo është një ditë tepër emocionuese, por edhe historike sepse shënon rritjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës me ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Dita e mërkurë kur edhe zyrtarisht nisë zhvillimi i FSK-së, sipas general Sulejman Selimit, është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën, por siç tha ai, kjo datë koincidon me datën kur zyrtarisht TMK-ja mori bekimin institucional para 9 vjetëve, ngjarje kjo e cila u zhvillua pas demilitarizimit të UÇK-së.

Komandanti i deritanishëm i TMK-së tha se periudha 9-vjeçare ka qenë një sakrificë e mundimshme, fillimisht për të dëshmuar imazhin e mirë që ka sot TMK, e më pas edhe për të zhvilluar këtë mision.

Ndryshe, TMK është formuar në shtator të vitit 1999, pas shpërbërjes së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me 3 mijë trupa aktivë dhe 2 mijë rezervë, TMK atëbotë mblodhi rreth vetës ish-guerilët më të dalluar të UÇK-së dhe u nda në gjashtë zona operative, ashtu siç ishte organizuar lufta e UÇK-së. Zona e Parë mbeti në Drenicë (Skenderaj), e Dyta në Dukagjin (Pejë) e Treta në Shalë (Mitrovicë), e Katërta në Pashtrik (Prizren), e Pesta në Llap (Besianë-Prishtinë) dhe e Gjashta në Karadak (Gjilan).

Marrëveshjen për formimin e TMK-së, u nënshkrua nga komandanti i atëhershëm i UÇK-së, gjenerallejtënant Agim Çeku, kryeministri i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi dhe komandanti i atëhershëm i paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, Michael Jackson.

Marrëveshja parashikonte që TMK brenda tri vitesh të evoluojë në një strukturë ushtarake e ngjashme me Gardën Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo nën kompetencat e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), TMK më shumë shërbeu si institucion emergjent me kompetenca të kufizuara dhe nën vëzhgim të lartë të ndërkombëtarëve.

Ajo gjatë viteve të para të funksionimit u godit disa herë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa asnjëherë nuk u kursye nga zhargoni i politikës në Beograd të quhet si “çerdhe e ekstremizmit shqiptar”. Pjesëtarët e TMK-së, kryesisht ata që shërbyen në struktura të larta drejtuese, u goditen nga proceset e montuara politike, që më vonë vet “drejtësia” e UNMIK-ut i quajti të pabazuara në fakte.

Nga detyra u larguan disa gjeneralë, përfshirë këtu Rrustem Mustafën, Rexhep Selimin, Daut Haradinajn, Gëzim Ostrenin, etj. Disa u burgosen dhe më vonë dolën se janë të pafajshëm, ndërsa këto pengesa ia ndalën hovin TMK-së, për të treguar seriozitetin dhe gatishmërinë në punë.

Po ashtu, pjesëtarët e TMK-së u ballafaquan me një buxhet shumë të varfër. Pjesëtarët e saj kanë marrë pagat më të ulta nga të gjitha institucionet tjera publike në vend. Deri dy vite më përpara, paga me e ulët e një pjesëtari të TMK-së ka qenë rreth 120 euro. Mirëpo pjesëtarët e TMK-së shpeshherë kanë deklaruar se qëndrimi në këtë institucion është më shumë se paga që marrin, “është sakrifica për ndërtimin e ushtrisë së re”.

TMK brenda nëntë vjetëve të funksionimit, ndërtoi pothuajse gjithë efektivin e një ushtrie moderne, përfshirë këtu Akademinë e Mbrojtjes, Qendrën e Trajnimit dhe të Doktrinës (TRADOC) që është konsideruar truri i një ushtrie, po ashtu themeloi disa njësite e batalione, përfshirë edhe Njësitin ajror, atë për Mbrojtjen kimike atomike-biologjike, Njësitin e xhenios, atë të deminerëve. Ndërkaq efektivi i kërkim-shpëtuesve, ka marrë lëvdata nga gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë nëntë viteve të ekzistimit të saj, pjesëtarët e TMK-së, siç ka deklaruar disa herë gjeneral Agim Çeku, sa ishte në krye te këtij institucioni, kanë menduar dhe vepruar si ushtri.

Gjithashtu e determinuar si institucion në shërbim të të gjithë qytetarëve, TMK ndërtoi shumë rrugë, kanale, e po ashtu shtëpi për kthimin e qytetarëve nëpër pronat e tyre, ndërsa ishte institucioni i parë në Kosovë që përmbushi standardet para statusit të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkaq, raportet shumë të mira me paqeruajtësit e KFOR-it, kanë ndikuar që NATO të trajnojë pothuajse gjithë efektivin e TMK-së. Madje me ndihmën e NATO-s, TMK nxori disa gjenerata të oficerëve, disa të nënoficerëve, e po ashtu instaloi edhe shkollimin e oficerëve të karrierës.

Dhe në kohën kur TMK gati arriti të profilizohet qartë si një strukturë me të gjitha karakteret e një ushtrie, ndodhi plani gjithëpërfshirës i
Presidentit Martti Ahtisaari, i cili parashikoi që TMK të shpërbehet, ndërsa në Kosovë të formohet një forcë e re e sigurisë.

Në bazë të këtij Plani, Kuvendi i Kosovës nxori një ligj për shpërbërjen e TMK-së, ndërsa shpërbërjes do t’i printe formimi i një ligji tjetër, ai për Pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të TMK-së.

Të dy ligjet u miratuan në Kuvend, mirëpo paqartësitë edhe më tej ekzistojnë. Ligji për pensionimi e parakohshëm të TMK-së, parashikon që të gjithë pjesëtarët aktivë të këtij efektivi, mbi moshën 45 vjeçare, të gëzojnë pension nga 50 deri në 70 për qind të pagës mesatare që kanë marrë gjatë tri viteve të fundit në TMK. Po ashtu, me këtë ligj përfitojnë edhe familjet e pjesëtarëve të TMK-së që kanë humbur jetën në detyrë.

Ndërkaq, paqartësia ka mbetur për pjesëtarët e TMK-së që nuk e arrijnë moshën 45 vjet dhe që nuk arrijnë ta kalojë testin për në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pjesëtarët që mund të mbesin në këtë “korridor” kanë thënë se nuk do të shpërbëhen derisa nuk i marrin benefitet që i kanë merituar.

Qeveria e Kosovës ka garantuar se as edhe një pjesëtarë i TMK-së nuk do të mbetet në rrugë, ndërsa janë dhënë disa ide që pjesëtarët më të ri se 45 vjet, të hyjnë në polici kufitare, apo edhe nëpër institucionet tjera të Kosovës. Madje pjesëmarrja në TMK do t’u hapë atyre përparësi në punësim.

Ndryshe, TMK do të shpërbehet në mesin e muajin janar 2009, ndërsa një javë më parë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu emëroi komandantin e
deritanishëm të TMK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimin për komandat të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërsa shumë shpejt do të publikohen edhe emrat e pjesëtarëve të TMK-së që janë pranuar në FSK. Mendohet se numri i këtyre të fundit do të jetë afër 2.000.

Pjesëtarët e TMK-së, pas nëntë vjetësh, ndërkaq po i ndërrojnë uniformat dhe emblemat. Në vend të shqiponjës, ata tanimë po vendosin ariun, ndërsa në vend të hartës së Kosovës me ngjyrë të zezë, po e vendosin flamurin e kaltër të Kosovës me gjashtë yje.

Nga Prishtina per Start, Veton Rugova

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›