E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tajlandë, anulohet samiti aziatik nga protestat

Bankok -Protestat e fuqishme kanë bërë që një samit i liderëve aziatikë në Tajlandë, të anulohet. Protestuesit antiqeveri kaluan kordonët e sigurisë dhe vërshuan brenda qendrës së medias së një kompleksi hotelesh, ku do të zhvillohej takimi. Kryeministri Abhisit Vejjajiva shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Pattaya, ku po zhvillonte punimet Samiti i Azisë Lindore, një qendër turistike afro 150 kilometra në jug të kryeqytetit Bankok."Tashmë detyra ime dhe e qeverisë është të garantojë sigurinë e liderëve pjesëmarrës që të udhëtojnë të sigurtë drejt vendeve të tyre", tha Abhisit në një intervistë të shkurtër televizive.

Anullimi i këtij samiti është një goditje dhe dështim i rëndë i qeverisë së Abhisit, që, sipas opozitës, erdhi në pushtet në dhjetor përmes manipulimeve dhe ndërhyrjes së ushtrisë në zgjedhjet parlamentare.

Ndërsa protestat dhe ngjarjet e fundjavës do të shtojnë pikëpyetjet lidhur me qëndrueshmërinë e qeverisë, pasi katër kryeministra kanë dështuar gjatë 15 muajve të fundit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të thella politike në vend. Shumica e liderëve të 16 vendeve Aziatike kishin mbërritur në Tajlandë duke pritur fillimin e samitit.

Qindra mbështetës të kryeministrit të rrëzuar Thaksin Shinauatra, arritën të kalonin përmes kordonit të ushtarëve dhe më pas filluan të thyenin xhamat e ndërtesës. Trupat ushtarake reaguan menjëherë duke bllokuar rrugën e cila të çonte drejt sallës ku liderët aziatikë pritej të mblidheshin në një drekë pune.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›