E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të drejtat e tatimorëve për verifikim dhe ato të ankimimit

29/05/2009  Qeveria bën ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”

Këshilli i Ministrave ka vendosur ditën e djeshme të bëjë disa ndryshime ne ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, sipas të cilave i jepet e drejta administratës tatimore të ndërmarrë një vlerësim tatimor të shumës së TVSH-së. Në bazë të projektligjit të miratuar në mbledhjen e pasdites së djeshme të qeverisë, kjo administratë ka të drejtën që, kur personi nuk bën deklarimin nga ajo periudhë kohe apo në formën që përcaktohet në këtë ligj, kur personi kërkon që shuma e TVSH-së, e paraqitur si e pagueshme në një deklaratë të ndryshojë, për arsye të një gabimi a mangësie. Po ashtu administrata tatimore ndërmerr vlerësimin kur çmon se shuma e TVSH-së e paraqitur si e pagueshme në një deklaratë, të bërë nga një person i tatueshëm, është më e vogël se shuma që duhej të ishte pasqyruar si e pagueshme kur personi ka qenë i çregjistruar, me efekte nga data në të cilën ishte regjistruar, apo kur çmon se për ndonjë arsye shuma e TVSH-së, edhe pse është e pagueshme, nuk është paguar. Sipas këtij projektligji, administrata tatimore njofton me shkrim personin e tatueshëm për vlerësimin tatimor, duke i dërguar bashkëlidhur edhe kërkesën për të paguar detyrimin tatimor, TVSH-në e pagueshme, kamatëvonesat si dhe gjobat. Nga ana e tij personi i tatueshëm detyrohet ta paguajë detyrimin tatimor, të vlerësuar sipas vlerësimit tatimor të kryer në bazë të këtij neni brenda 30 ditëve kalendarike duke filluar nga data kur personi ka marrë apo vlerësohet ta ketë marrë njoftimin e vlerësimit dhe kërkesën për pagesë.

Projektligji, i cili mori mbështetjen e trupës ministrore bën ndryshime edhe në nenin në të cilin sanksionohet mënyra e procedimit të animimin administrativ tatimor. “Çdo person ndaj të cilit është bërë një vlerësim tatimor për TVSH-në dhe për pasojë organi tatimor ka nxjerrë njoftim për këtë vlerësim, nëse nuk është dakord, ka të drejtë të paraqesë ankim në Drejtorinë e Apelimit Tatimor”, - thuhet në draftin ligjor. Projektligji saktëson se subjekti ka të drejtë të paraqesë ankimimin brenda afatit kohor të përcaktuar në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të ndjekë procedurat e apelimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Në këtë projektligj saktësohen rimbursimet ndaj një personi, si pasojë e ankimit administrativ tatimor. “Kur një vlerësim tatimor, në bazë të një ankimi administrativ tatimor, ulet apo anulohet, organet tatimore rimbursojnë personin ndaj të cilit ishte bërë ky vlerësim tatimor për të gjithë shumën e TVSH-së së paguar më tepër”, - thuhet në këtë nisëm ligjore. Drafti ligjor, i cili iu propozua për miratim Këshillit të Ministrave nga ana e Ministrisë së Financave, saktëson se fjala “interesat” zëvendësohet me “kamatëvonesat”.

Kthimi i pronave

Kreu i qeverisë ka garantuar në mbledhjen e qeverisë se asnjë oborr në përdorim nuk do të preket. Berisha tha se ruspat e Bashkisë po shkojnë te qytetarët t’u prishin oborret, pasi e kanë marrë vesh se ato oborre do të bëhen prona të tyre. “Oborret në përdorim, për shkak të ligjit të diktaturës, do të konsiderohen automatikisht oborre në pronësi dhe është absolutisht vetëm çështje dokumentesh. Të tjerë presin vendime për privatizimet, janë me mijëra qytetarë në kombinat që presin privatizimin përfundimtar të banesave të tyre”, - tha Berisha.

Berisha për kartat

Në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar ministrit të Brendshëm Bujar Nishani që ai dhe të gjithë prefektët që varen prej tij të ushtrojnë format më të rrepta të kontrollit mbi punonjësit e gjendjeve civile, të cilët nuk duhet të pajisin me karta asnjë qytetar me pasaportë. Sipas tij, çdo thyerje e këtij vendimi do të përbëjë ndëshkim ligjor, qoftë për punonjësit e gjendjes civile, qoftë për punonjësit e prefekturës, të ngarkuar për kontrollin e tyre. “Toleranca do të jetë zero në këtë drejtim. Kur vetë kompania merr përsipër të zvogëlojë në përmasa të panjohura vëllimin e punës së saj, vetëm në interesin e procesit, atëherë zyrtarët e këtij vendi duhet të përgjigjen me gatishmëri më të plotë”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Ai tha se “për këtë proces qeveria është e gatshme të bëjë çdo dekretligj që i shërben transparencës së këtij procesi”. Berisha ka theksuar se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti po hyn në fazën përfundimtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›