Të etur për trofe

Trepça ’89 nuk ka arritur ta shijojë kurrë ndonjë trofe. Për këtë, klubi mitrovicas është i etur për të fituar tituj. Ky është edhe motivi shtesë që klubi mitrovicas ta bëjë një gjë të tillë sivjet, pas riorganizimit që bëri, i cili si rezultat solli përforcime të rëndësishme.
Trajneri Gani Sejdiu e pranon se ky mund të jetë viti kur skuadra gjelbërebardh mund të festojë, por insiston se Trepça ’89 nuk e ka prioritet titullin e kampionit. Ai e sheh ekipin mitrovicas në ‘Top 4’, por thotë se ‘Xehetarët’ do të godasin, atëherë kur t’u vijë mundësia.
“Është e vërtetë se jemi të etur për trofe. Trepça ’89 gjithmonë ka qenë ekip stabil. Dy herë ka qenë pretendent për titull dhe një herë ka arritur deri në finale të Kupës. Nuk e kemi prioritet titullin, por do ta shfrytëzojmë maksimalisht çdo mundësi që na ofrohet”, deklaroi për Express trajneri mitrovicas.
Sejdiu e ka përgëzuar Kryesinë për transferimet që i solli, por ai nuk e harron faktin se pesë lojtarë e lanë ekipin gjatë verës. Ish-trajneri i Trepçës e Kosovës së Vushtrrisë mendon se ka në dispozicion një ekip solid dhe të kompletuar, për t’u renditur sa më lart në tabelë, sezonin që vjen.
“Edhe pse deri në ditën e fundit të afatit kalimtar nuk i dihet, mendoj se do ta nisim sezonin me këta lojtarë që kemi në dispozicion. Pas gjashtë muajsh, varësisht prej nevojës, mund të ulemi dhe të bisedojmë për përforcime të tjera”, shton ai.
Sejdiu tregohet modest dhe përmend ekipe të tjera, që mendon që janë më të forta se ekipi i tij. “Mendoj se Prishtina, Trepça, Hysi dhe Vëllaznimi kanë potencial më të madh se ne. Mirëpo, edhe ne gjendemi aty diku”, vazhdoi trajneri kosovar.
MT: Festim Krasniqi, përforcimi i radhës
Festim Krasniqi është përforcimi më i ri i Trepçës ’89. Sulmuesi kosovar iu bashkua ekipit mitrovicas pasi kaloi një eksperiencë të shkurtër në Renovë të Maqedonisë, ku shkoi nga Hysi.
“Festim Krasniqi është futbollist i Trepçës ’89. Ai do të luajë një vit me këtë ekip”, deklaroi menaxheri Ismet Munishi, i cili së bashku me Hashim Vitinë, ndërmjetësoi në këtë transferim, por edhe në përforcimet e tjera të ‘Xehetarëve’.
Deri më tani, Trepça ’89 i ka siguruar shërbimet e Ilir Nallbanit, Florent Sejdiut, Visar Shkupollit, Ilir Izmakut e Liridon Kukajt. Ndërkohë, ky klub po e pret edhe sulmuesin nga Shqipëria, Arsen Hajdari, i cili fillimisht do të provohet te një klub grek.
Nëse nuk qëndron në atë klub, mund të arrijë në klubin kosovar. Edhe Behar Maliqi mbetet objektiv i klubit mitrovicas, në rast se e shkëput kontratën me Prishtinën.