E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të nisë dialogu për zgjidhje

LSI

LSI bëri thirrje për nisjen e një dialogu politik për reformën zgjedhore. Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje se “përsëris kërkesën e LSI për fillimin sa më parë të dialogut politik në funksion të reformës së ardhshme zgjedhore, me qëllim që të mos kemi as kontestime, as greva urie në të ardhmen”. Numri dy i LSI-së theksoi se aksionet e PS-së nuk kanë mbështetje ndërkombëtare.

“OSBE/ODIHR, si organizata më e gjerë e sigurisë në Europë e përtej saj, të gjitha vendet anëtare të saj, ashtu siç është bërë e qartë në vazhdimësi, e kanë dhënë gjykimin e tyre përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit si “zgjedhjet më të mira deri më sot” dhe kanë ofruar rekomandimet si duhen përmirësuar standardet për të ardhmen”. Ndërkaq, në një deklaratë të dhënë më herët, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha se “sot në ditën e 12 të grevës së urisë dhe protestës së Partisë Socialiste, dua të shpreh shqetësimin në emër të LSI-së për të ulur palët në dialogun politik, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje për situatën politike të krijuar në vend, pasi kauza jonë e përbashkët, pavarësisht bindjeve partiake, është Shqipëria europiane”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›