Topalli: Shqiptarët, të ndarë në 4 shtete, bashkohen në Europë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbajti dje në Gjenevë një fjalim përpara 261 parlamentarëve të 186 vendeve, duke u përqendruar te realiteti europian i Shqipërisë dhe te njohja e pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e saj, Topalli theksoi se sot Shqipëria, pas rrëzimit të komunizmit 20 vite më parë, është transformuar në mënyrë rrënjësore dhe është e qartë në perspektivën e saj europiane. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja theksoi se Kosova, 2 vjet pas shpalljes së pavarësisë po progreson shumë shpejt në një rajon stabël e në paqe. “Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjitha ato vende, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin shtetin më të ri të botës. Ai është një realitet i pakthyeshëm. Shqiptarët në Ballkan janë të vendosur të kontribuojnë në paqen e stabilitetin e rajonit”, bëri thirrje Topalli në fjalën e saj. Kryeparlamentarja deklaroi se ndonëse shqiptarët sot jetojnë të ndarë në katër shtete, janë të ndërgjegjshëm se vetëm integrimi në Europë është një e ardhme e përbashkët. “Ne jemi të vetëdijshëm se Europa dhe integrimi janë progresi dhe e ardhmja jonë. Integrimi, që tejkalon kufijtë e botës së vjetër, është përgjigjja logjike për realitetet e shekullit 21. Kjo do të na çojë drejt një bote më të sigurt, më demokratike dhe më të begatë në shekullin e 21”, theksoi Topalli. Sipas saj, ndërtimi i Europës është një nga projektet më ambicioze deri më sot, sa i përket qeverisjes mbikombëtare.
#