E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë, 62 përqind “pro” Bashës – Rama gremiset tek shifra 36 përqind

03-05-2011 / Gazeta 55

Sondazhi i KKS-së me 2300 studentë


Këshilli Kombëtar Studentor ka zhvilluar një anketim në 2300 studentë të kryeqytetit mbi orientimin e votës së tyre. Sondazhi u zhvillua në disa universitete të kryeqytetit, si: UT, UPT, UBT, UFO, UET, NEW YORK, KRISTAL dhe ZONJA E KËSHILLIT TË MIRË. Sipas këtij sondazhi, 62 % e studentëve do të votojnë në 8 maj për kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha. 36 % e studentëve janë shprehur se do të votojnë për kandidatin e Aleancës për të Ardhmen, Edi Rama, 0.2 % për Hysni Milloshin dhe 1.8 % nuk do të votojnë për asnjërin. Sipas kryetarit të KKS-së, Qamil Dika, i cili ka prezantuar rezultatet e sondazhit, 38 % e studentëve e bazojnë formësimin e votës së tyre pikërisht në programin që kandidati ka prezantuar. 23 % janë bazuar tek imazhi i kandidatit, ndërsa 18 % votojnë duke u bazuar tek partia që kandidati përfaqëson. Shumë pak prej tyre votojnë duke u bazuar tek bindjet politike të prindërve , apo tek premtimet që ata kanë bërë. “Unë jam i sigurt, që studentët shqiptarë, në raport me të gjithë kapacitetin e tyre intelektual, analizës largpamëse dhe dëshirës për të pasur zgjidhje konkrete dhe afatgjata, nuk do të votojnë siç rëndom ndodh për bastionet politike dhe kauzat partiake, por do të jenë realistë dhe konkretë, duke votuar për programin më të mirë. Ka një diferencë totalë të përfshirjes së të rinjve dhe studentëve në këtë fushatë, të paktën për Tiranën. Nga njëra anë është kandidati i Aleancës për të Ardhmen, që deri tani nuk ka shpalosur asnjë program për të rinjtë dhe studentët, dhe nga ana tjetër, kandidatin e Alenacës për Qytetarin, Lulzim Bashën që ka shpalosur më shumë se një projekt për të rinjtë dhe studentët”, u shpreh gjatë komunikimit të djeshëm për shtyp, kreu i KKS-së, Qamil Dika. Sipas sondazhit, 61 % e studentëve ndihen të përfaqësuar në programin elektoral të Lulzim Bashës, dhe vetëm 31% ndjejnë se përfaqësohen nga Rama. 4 % e studentëve të anketuar nuk besojnë tek asnjë prej programeve, ndërsa asnjë prej studentëve nuk e gjen veten të përfaqësuar te Hysni Milloshi, kandidati i Partisë Komuniste. Sipas sondazhit të zhvilluar nga KKS, 84 % e studentëve në 8 maj do të marrin pjesë në votime, ndërkohë që 9 % ende nuk e kanë vendosur. Prej 2300 studentëve të anketuar, 7 % e kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet lokale. Prej studentëve të anketuar, 21 % prej tyre janë votues për herë të parë. “Pikë së pari, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Studentor, dua tu bëj apel të gjithë të rinjve dhe sidomos studentëve, që në 8 maj, të lënë shtëpitë e tyre dhe tu drejtohen qendrave të votimit, duke ushtruar kështu të drejtën dhe detyrimin kushtetues të ushtrimit të pushtetit përmes votës. Gjithashtu, dua tu kujtoj dhe një herë të gjithë studentëve, sidomos atyre që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, që të ruajnë qetësinë gjatë votimit, të mos bëhen pre e provokimeve dhe aq më keq autorë të incidenteve. Në 8 maj studentët shqiptarë duhet të votojnë vetë, në mënyrë të pavarur dhe në respekt të të gjitha procedurave të votimit të bëra të njohura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, u shpreh Dika. Prej të sonduarve, 59 % e studentëve dëshirojnë dhe vlerësojnë një fushatë me qytetarët, përkundrejt 32 % e tyre që pëlqejnë një fushatë politike. Studentët janë shprehur se 56 % dëshirojnë dhe presin prej të zgjedhurve ndryshime të vërteta në qeverisjen vendore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›