E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperaturat e larta shtojnë rastet e fëmijëve me virozë

18/07/2009  Mjekët, ndryshe nga viti i kaluar, rastet me probleme nga pishinat dhe ushqimet

Rritja e temperaturave në këtë sezon ka shtuar numrin e rasteve të fëmijëve me virozë në repartin e pediatrisë në spitalin rajonal të Beratit. Mjekët bëjnë të ditur se numri i fëmijëve varijon nga 5 deri në 20 raste në ditë, ndërsa mosha më e prekur është ajo midis moshës 1-8 vjeç. Por nuk përjashtohen as moshat më të vogla dhe apo dhe 13-vjeçarët. Mjekët e repartit të pediatrisë bëjnë të ditur se ndryshe nga vitet e tjera këtë vit rastet e paraqitura kanë probleme të ndryshme dhe me më shumë komplikacione, kjo si pasojë e ujërave të pishinave, ushqimet që janë të destinuar të prishen si shkak i të nxehtit dhe qëndrimi me orar të zgjatur në orët e pikut të vapës. Mjeku pediatër Vladimir Kumaraku bën të ditur për gazetën se stina këtë vit ka ardhur me disa veçori dalluese që veç rregullimeve gastrointestinale, fëmijët kanë probleme frymore, me teshtima, në mushkri dhe pjesë të tjera të organizmit. Simptomat kanë qenë më të dukshme si dhimbje fyti, muskulore, këputje, mungesë oreksi etj. Por sipas pediatrit Kumaraku rastet janë të ndryshme për shkak dhe të ndryshimit të temperaturës dhe ajo që ka çuar në komplikacione është dhe lagështia në ambientin ku qëndron fëmija, e cila sforcon frymëmarrjen dhe jep dhimbje dhe vuajtje tek pacientët. Këtë vit, sipas Kumarakut, ka raste të fëmijëve me shumë infeksione të mara nga pishinat ku kryejnë banjat ndaj nga sistemi shëndetësor parësor duhet të merren masa që këto pishina të kenë kontrolle të herëpashershme për t’u dezinfektuar dhe ndërrim të ujit. Ndërsa për prindërit mjeku pediatër Vladimir Kumaraku këshillon që mos të paraqiten menjëherë në spital sapo të vërejnë rritje të temperaturës tek fëmijët, pasi sipas tij temperatura është një agjent mbrojtës dhe dhënia direkt e antibiotikut nuk është ndihma më efikase për shërim të fëmijës. Sipas tij, fëmijët nga 0-12 muajsh duhet të paraqiten 12 orë pas evidentimit të temperaturës, 1-3 vjeç 48 dhe mbi 3 vjeç duhet t’i drejtohen mjekut pas 72 orësh. Ndërsa këshillon që gjatë qëndrimit në shtëpi veç dhënies së ndihmës së parë me ilaçe është e këshillueshshme që prindërit të përdorin kompresa me ujë të ftohtë për uljen e temperaturave dhe jo banjat e shpeshta, të cilat shpesh herë ndikojnë vetëm në uljen sipërfaqësore të temperaturës tek fëmijët. Gjithashtu për rastet më të rënda që mbahen në shtëpi për ditë me radhë, Kumaraku këshillon sjelljen sa më shpejt në spital për t’i dhënë ndihëm e duhur dhe kurën e domosdoshme fëmijëve për të mos rrezikuar më tepër gjendjen e tyre shëndetësore.

S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›