E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenis synimi i Nadal rikthimi ne krye

Rafael Nadal kërkon të marrë sërish raketën numër një të botës, të cilën ia dorëzoi pak muaj më parë serbit Novak Djokovic. Duke folur nga Tajpei ku zhvilloi një ndeshje promocionale kundër patriotit të tij David Ferrer, tenisti spanjoll ka bërë të ditur se objektivi i tij kryesor është të kthehet sërish në krye të klasifikimit botëror të tenisit për meshkuj.

“Djokovic ka një ecuri fantastike në turnetë e fundit dhe e meriton plotësisht vendin e parë. Por unë nuk jam dorëzuar dhe në turnetë e tjerë do të kërkoj të kthehem te suksesi për t’u ngjitur sërish në krye të renditjes”, ka thënë Nadal. Spanjolli u mund nga Djokovic në finalen e turneut të fundit Grand Slam të tenisit për meshkuj US Open, ndrësa tani shprehet se po mendon edhe për medaljen e artë në Lojrat Olimpike Londër 2012. Një sukses të tillë spanjolli e përjetoi në vitin 2008 në Olimpiadën e Pekinit.

“Lojrat Olimpike janë gjithmonë emocionuese dhe medalja në Pekin është një nga momentet më të bukura të karrierës sime. Dua të fitoj sërish në Londër”, ka përfunduar Nadal, i cili pas triumfeve të njëpasnjëshme të Novak Djokovic, ka zbritur në vendin e dytë të klasifikimit të përgjithshëm botëror.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›