E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tentativë për të mos nxjerrë përgjegjësit e humbjes”

17/07/2009  PR denoncon qëndrimet e lidershipit të PS-së

Aleksandër Garuli thotë se vendi ka nevojë për opozitë konstruktive

Partia Republikane është shprehur me tone të ashpra ndaj qëndrimeve të Partisë Socialiste ndaj zgjedhjeve parlamentare. Nënkryetari republikan Aleksandër Garuli tha dje se deklaratat e PS-së për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit janë përpjekje të paargumentuara për të mos pranuar realitetin. Garuli tha se pas rinumërimit të votave në Qarkun e Fierit, gjë që socialistët e vunë si kusht për të njohur zgjedhjet, tashmë lidershipi i kësaj partie ka filluar lojën politike për kontestime të pabazuara në ligj edhe në ato zona ku shumica e komisionerëve kanë qenë të PS-së. “Këto manovrime politike të liderëve të PS-së tentojnë të çoroditin strukturat e partisë së tyre për të mos vënë para përgjegjësisë shkaktarët që iu sollën humbjen”, - tha Garuli. Ai nënvizoi se rezultati i zgjedhjeve në tërësinë e tij shpreh qartë se të drejtën kushtetuese për formimin e qeverisë elektorati shqiptar ia ka dhënë koalicionit “Aleanca e Ndryshimit”, që është me diferencë të patjetërsueshme ndaj koalicionit të Partisë Socialiste. “Kundërshtimi i pabazuar i rezultatit të zgjedhjeve nga lidershipi i PS-së vjen ndesh me interesat e vendit. Sot, kur vendi ynë është përballë sfidave të mëdha, nuk mund të mbetemi peng i një grushti njerëzish në krye të PS-së, që thjesht për interesat e tyre të vogla po përpiqen të dëmtojnë të ardhmen tonë të përbashkët”, - deklaroi nënkryetari republikan. Garuli tha se për PS-në, që tashmë është përsëri në opozitë, do të ishte më dinjitoze dhe më e favorshme të pranonte humbjen, duke respektuar në këtë mënyrë vullnetin e shprehur të elektoratit shqiptar. “Pranimi i humbjes reale do t’i shërbente së pari vetë PS-së, duke i dhënë asaj statusin e një opozite konstruktive, për të cilën vendi sot ka nevojë”, - theksoi ai. Për zyrtarin e lartë republikan do të jetë e pamoralshme që klani drejtues i PS-së, duke tentuar të qëndrojë me çdo kusht në politikë, me qëndrimin aktual po i krijon kosto të madhe vendit. Garuli tha se kjo kosto rëndon mbi çdo shqiptar, edhe mbi vetë ata që votuan Partinë Socialiste. “Çdo përpjekje e lidershipit të Partisë Socialiste për të përbaltur zgjedhjet e 28 qershorit, nuk u sjell asnjë dëm politik fituesve legjitim të këtyre zgjedhjeve, por dëmton drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe fyen qytetarinë me të cilën shqiptarët realizuan këto zgjedhje”, - tha nënkryetari i PR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›