E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci 3 AKR e PDK flasin per ndryshimet

Gjatë muajit shtator pritet riformatimi i qeverisë së Kosovës nga i cili koalicioni Aleanca për Kosovën e Re i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli do të marrë edhe një ministri shtesë. Riformatimi i qeverisë pritet të sjell ndryshime në kabinetin qeveritar “Thaçi 2” dhe kalim të disa ministrave në dikastere të tjera.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re, Myzejene Selmani konfirmoi për Albanian Screen ndryshimet që pritet të ndodhin në qeverinë e Kosovës. Ajo tha se AKR pret zbatim të plotë të marrëveshjes së koalicionit, sipas së cilës kësaj partie i takon edhe një ministri shtesë krahas katër të tillave me të cilat qeveris aktualisht.

“Është arritur marrëveshje e re që AKR-ja të ketë edhe një ministri tjetër, dhe sipas të gjitha gjasave në shtator është e drejtë ekskluzive e kryeministrit Thaçi që të bëjë riformatizimin e qeverisë në bazë të performancës së ministrave dhe punës që ata kanë treguar dhe ne presim zbatimin e plotë të marrëveshjes ne mes koalicionit për Kosovë të Re dhe PDK-së”-tha Selmani.

Në Partinë Demokratike të Kosovës të kryeministrit Thaçi nuk është diskutuar ende për riformatimin e qeverisë. Mirëpo sipas deputetëve të kësaj partie, kryeministri është i mandatuar edhe për të bërë ndryshimet e nevojshme, nëse kërkohet një gjë e tillë.

“Është çështje e kryeministrit, ai është i mandatar për udhëheqje të qeverisë dhe i ka detyrat e veta për të udhëhequr me Kosovën”-theksoi Nait Hasani, Deputet  dhe Anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Ende nuk dihet saktësisht se cila ministria që aktualisht drejtohet nga PDK do t’i kalojë AKR-së së Pacollit e as ndryshimet e tjera të cilat do të bëhen, pas vlerësimit të punës së secilit ministër në javët e para të shtatorit.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›