E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thander KO ringjallen Lejkers

Për ata që ishin mësuar të shikonin Klivlandin të humbiste dhe Oklahoma Sitin të fitonte, kjo ishte nata e surprizave. Kavaliers mposhtën një prej skuadrave më të formë të momentit dhe regjistruar triumfin e dytë radhazi.
Për Thandër nuk mjaftuan 23 pikët e Kevin Durant, në një ndeshje të luftuar deri në fund. Por diferencën e bëri Iruing, që dukej mjaft i frymëzuar duke udhëhequr Klivlendin në fitoren 96-90.
Ndërkohë, Kobi Brajant vazhdon sfidën e tij me historinë, duke kaluar kuotën e 29 mijë pikëve të shënuara në karrierë gjatë sezonit të rregullt në NBA. Ylli i Los Anxhelos Lejkërs u bë lojtari i 5-të në histori që kalon këtë kuotë, me 34 pikët e realizuara në fitoren 105-102 që kalifornianët arritën me Minesotan.
Tashmë ai ka përpara vetëm katër basketbollistë që cilësohen më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave në basketbollin amerikan, Karim Abdul-Xhabar, Karl Malone, Majkëll Xhordan dhe Uilt Çambërlein.
Në anën tjetër, përveç disfatës, Minesota mori një goditje të rëndë, pasi organizatori Riki Rubio pësoi një dëmtim të rëndë në gju dhe mund ta mbyllë sezonin përpara kohe, duke rrezikuar seriozisht edhe pjesëmarrjen në “Londër 2012”.
Fitores së Lejkërs i janë përgjigjur edhe kushërinjtë e Klipërs. Falë 36 pikëve të Kris Pol, i cili ishte pikashënuesi më I mirë në sfidat e luajtur në mbrëmje, ata mposhtën me shifrat 120-108 San Antonion. Në ndeshjet e tjera, konfirmohet Filadelfia, që fitoi 104-91 me Utah, Nju Xhersi fitoi 83-74 me Sharlotën, Bostoni shpartallon 104-86 Portland, ndërsa Ditroid fitoi vetëm me një pikë 86-85 me Atlantën.
Vazhdon momenti negativ i Nju Jorkut, që humbi ndeshjen e katërt radhazi përballë Miluokit, ndërsa zhgënjen edhe Dallas Maveriks: kampionët në fuqi pësuan humbjen e dytë radhazi 110-97 kundër Sakramentos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›