E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet skandali në Itali, dyshohen dy sfida të Serisë A

ITALI- Skandali i manipulimit të ndeshjeve në Itali dje ka marrë përmasa të tjera, pasi është zbuluar se janë trukuar apo janë bërë tentativa për të paktën dy ndeshje të tjera të Serisë A. E para është ndeshja e dyshimtë mes Breshias e Bolonjës, më 2 prill, e përfunduar 3-1. Në një përgjim të Pietro Basit, informator i grupit mafioz të basteve, ai jep 4 rezultate të sakta, mes të cilëve edhe Breshia-Bolonja 3-1. Ndeshje tjetër e dyshuar është edhe Kievo-Sampdoria, e fituar 2-0 nga Kievo.
Skema shqiptare
Në dosjen e bërë publike nga Kuestura e Kremonës, tregohet qartë edhe skema sesi bastet viheshin në Shqipëri. Kështu, drejtori sportiv i Ravenës Xhorxhio Bufone mbante lidhje me përgatitësin atletik të këtij klubit Nikola Santoni, derisa ky i fundit të kontaktonte Kristiano Donin për të manipuluar rezultatin e ndeshjes Atalanta-Askoli. Ndërkohë, mbante lidhjet edhe me presidentin e Alesandrias dhe të Veronës, për të konkorduar humbjen e Ravenës. Sapo merrej garancia se skuadra e tij, Ravena, do të humbiste, Bufone instruktonte shqiptarët Ismet Mehmeti dhe Antonio Shytaj mbi bastet që do të viheshin në Shqipëri, një vend ku kontrollet janë më të vogla. Humbja e verdhekuqve është planifikuar në tavolinë edhe për ndeshjen ndaj Rexhianës.
SKANDALI
Një super dosje, që përfshin 6 muaj hetime e përgjime, ka tronditur një ditë më parë Italinë dhe futbollin e këtij vendi. 17 ndeshje të Serisë B dhe Ligës Pro, por edhe një e Serisë A, ishin në qendër të një organizate të mirëfilltë kriminale që merrej me bastet sportive. Policia ka arrestuar 16 persona, ndërsa 28 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë. Mes tyre emra tepër të njohur si Bepe Sinjori, ish-sulmues i Lacios dhe Italisë, por edhe dy shqiptarë, Ismet Mehmeti e Antonio Shytaj.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›