E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyhet siguria e burgut austriak, 2 shqiptarët ikin nga ventilatori

10/08/2011  Kastriot Dushi e Kastriot Elezi largohen pa lënë gjurmë, një i tretë i ka ndihmuar

AUSTRI-Dy shtetas shqiptarë kanë thyer rrjetën e burgut të sigurisë së lartë në Austri dhe janë arratisur në mënyrë spektakolare nga ambientet tepër të fortifikuara të tij. Bëhet fjalë për 37-vjeçarin Kastriot Dushi dhe 39-vjeçarin Kastriot Elezi, të cilët kanë mundur të shfrytëzojnë neglizhencën e gardianëve të burgut dhe të vënë në zbatim planin e tyre të arratisjes. Duke iu referuar medieve austriake, dy të arratisurit shqiptarë ishin dënuar me disa vjet heqje lirie për akuzën e kryerjes së disa vjedhjeve me dhunë në qytetet e Austrisë. Për shkak të rrezikshmërisë që shfaqnin, dy shqiptarët ishin izoluar në burgun e sigurisë së lartë “Ejsenstadt”, ku prej disa vjetësh mbaheshin të izoluar, që siç duket Kastriot Dushit dhe Kastriot Elezit u kanë shërbyer për të venë në punë inteligjencën e tyre për t’u arratisur nga qelia. Nga të dhënat e para që policia austriake ka publikuar rreth kësaj arratisje, mësohet se ikja nga burgu është realizuar me mjaft mençuri e strategji të mirëmenduar. Dy shqiptarët kanë arritur t’u shmangen rojave të burgut duke përdorur mjetet e kuzhinës e më pas janë larguar përmes vrimave të ventilatorëve të saj. Ata kanë përfituar nga orari i ushqimit, duke kaluar nga mensa në kuzhinë. Prej këtej dy shqiptarët i kanë shpëtuar syrit të punonjësve të kuzhinës dhe më pas kanë mundur të hynë në vrimat e ventilatorëve që ishin instaluar në mur për pastrimin e ajrit në ambientet e kuzhinës. Dushi dhe Elezi kanë zbërthyer pajisjen e ventilatorëve dhe më pas kanë kaluar murin e burgut, duke u larguar në drejtim të paditur. Shumë nga gardianët e burgut s’e kanë pikasur në kohë këtë arratisje spektakle, duke u dhënë kohë dy shqiptarëve të largohen shpejt nga burgu dhe për pasojë të humbin gjurmët. Nisur nga këto kushte, autoritetet e burgut s’kanë mundur t’u vihen në ndjekje, për shkak se evidentimi i arratisjes u bë me vonesë. Nga veprimet hetimore të kryera autoritet austriake ngrenë dyshimet se pas arratisjes nga ambientet e burgut dy shqiptaret janë pritur nga një person i tretë i implikuar në arratisje. Siç duket, personi i tretë, që ka ndihmuar dy të burgosurit, ka pritur në ambientet e jashtme të burgut me makinë dhe menjëherë sapo kanë kapërcyer “gardhin e sigurisë” dhe janë futur në makinë dy shqiptarët ai ka bërë transportimin e tyre në vendstrehimin e planifikuar kohë më parë. Aktualisht policia austriake ka marrë të gjitha masat për kapjen sa më shpejt të dy shqiptarëve, por deri tani këto masa nuk kanë dhënë rezultat. Mësohet se në të gjitha mediet lokale, televizione dhe gazeta janë shpërndarë fotot e dy të arratisurve nga burgu “Ejsenstadt”, ku u kërkohet qytetarëve të denoncojnë në polici, në rast se i shikojnë në rrugë. Por edhe kjo mënyrë nuk ka dhënë rezultate pozitive, çka ka vështirësuar akoma dhe më tepër punën e policisë për lokalizimin dhe arrestimin e shqiptarëve Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi. Ndërkohë pas arratisjes autoritet e burgut kanë rritur masat e sigurisë, duke shtuar numrin e gardianëve dhe radhët e telave në muret e burgut, nga ku depërtuan dy shqiptarët.

Ekstradimi në Shqipëri

Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi, që mundën të largohen nga burgu “Ejsenstadt” në Austri, ishin dy të dënuar dhe shumë shpejt do të ekstradoheshin në Shqipëri. Në bazë të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve dhe vuajtjes së dënimit në burgjet e shtetit të origjinës së tyre, dy të arratisurit ishin futur në listën e këtyre ekstradimeve. Tashmë një gjë e tillë duket se nuk mund të ndodhë shumë shpejt, për shkak se Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi ende nuk janë arrestuar nga autoritet policore austriake. Por edhe në rast se ata do ndalohen, dy shqiptarët sërish do t’u nënshtrohen procedurave gjyqësore, ku këtë herë do të akuzohen për arratisje nga burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›