E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Keqardhje për opozitën

Me studentët Kreu i Kuvendit: Ishte vendimi më i mirë

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka qenë më e hidhura ndaj opozitës në deklaratat e saj pas vendimit të Komisionit Europian për vizat. Në një takim me studentë, kreu i legjislativit theksoi se “Unë shpreh keqardhjen që kolegët e tjerë nuk kanë bashkëpunuar për të qenë edhe ata pjesëtarë të këtij kontributi për të rinjtë dhe të rejat, por edhe për gjithë shqiptarët. Gjithsesi, lajmi është për të gjithë shqiptarët, lëvizja e lirë është ëndrra e të gjithë shqiptarëve, nuk ka një komb që të ketë qenë një shekull i izoluar si shqiptarët, nuk ka një komb tjetër që ta dojë lirinë dhe liria përveç dimensioneve të tjera, konsiston së pari në lëvizjen e lirë, në mundësinë, në lirinë për të lëvizur përtej kufijve të Shqipërisë, për të shkuar në të gjithë hapësirën Shengen”. Kryeparlamentarja Topalli, ka theksuar se për të vendimi i marrë dy ditë më parë në Bruksel, “Gjatë dy viteve të fundit janë marrë vendime të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat, 26 Nëntori, 18 Dhjetori, marrja e pyetjeve, dorëzimi i përgjigjeve. Por në 20 vite, rekomandimi i djeshëm i komisioneres Malmstorm për vizat është më i rëndësishmi, më i mirëprituri, është lajmi më i bukur që ndonjëherë shqiptarët kanë pasur në jetën e tyre. Jemi një komb, i cili ka një shekull që është i izoluar, jemi një komb që kemi moshën më të re, ku 60% e popullsisë është nën 35 vjeç. S’ka gjë më të bukur për këta të rinj dhe të reja, për këta studentë që e shohin veten si të gjithë të rinjtë e tjerë të Europës, si të gjithë qytetarët e tjerë, si gjithë studentët e tjerë, të cilët mund të lëvizin pa viza. Ky është lajmi më i bukur. Unë në jetën time politike, por jo vetëm politike, nuk e kam ndier veten më të gëzuar dhe më krenare”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›