Topalli me drejtuesit e NATO-s: Reformat, fryt i bashkëpunimit
Në fund të këtij muaji pritet të përfundojnë tre reforma të rëndësishme në parlamentin e Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mazhorancë-opozitë. Kështu është shprehur kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë një takimi me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Dr. Karl Lamers.
Në përgjigje të interesit të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kryetarja e Kuvendit bëri një rezyme të zhvillimeve politike në vend. Znj. Topalli vlerësoi se tashmë ka një bashkëpunim midis opozitës dhe mazhorancës për të çuar përpara reformat e integrimit, ku në fund të këtij muaji pritet të mbyllen tre reforma të rëndësishme, ajo zgjedhore, parlamentare si dhe ligji për gjykatat Administrative.
Dy personalitetet diskutuan lidhur me pritshmëritë e Samitit të Chicagos, ku zoti Lamers theksoi se nisma "Smart Defense" do të jetë një pikë kyçe në punimet e këtij samiti. Ndërkaq në nderim të delegacioneve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që ndodhet në Tiranë në kuadër të konferencës: "Mbrojtja e Zgjuar”, e vendeve të Evropës Juglindore kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave.
Gjatë fjalës së saj zonja Topalli ka vlerësuar rolin që luajnë strukturat e paktit të Atlantikut të Veriut në sigurinë globale, duke e cilësuar një histori unike suksesi.
Nga ana e tij, David Hobbs, Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s falënderoi Kryetaren e Kuvendit dhe vlerësoi organizimin e këtij takimi shumë të rëndësishëm në Shqipëri.
Një ditë më parë u mbajt në Tiranë Konferenca “Mbrojtja e Zgjuar”, bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore.