Topi: Gati të negocioj për krizën politike, por duhet vullneti i partive
TIRANË- Në kulmin e krizës politike në vend, kur opozita në rast të mosplotësimit të kërkesës së saj për hapjen e kutive kërkon zgjedhje të parakohshme dhe mazhoranca nuk tërhiqet nga e saja, duke u 'mbrojtur' me vendimin e gjykatës, reagon kreu i shtetit, Bamir Topi.
Presidenti është shprehur i gatshëm për të negociuar në zgjidhjen e krizës politike në vend, ndonëse ka shtuar se për këtë nevojitet vullneti i partive politike.
Deklarata është bërë sot gjatë homazheve për akademikun Teki Biçoku, ku presidenti i Republikës, Bamir Topi, u pyet rreth gatishmërisë së tij për të ndërhyrë në zgjidhjen e ngërçit politik që po kalon aktualisht vendi dhe se a mendon që ka ardhur koha për ta bërë këtë.
"Së pari, nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo për të respektuar edhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë edhe median, unë atë gatishmëri që kam patur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë tek vullneti politik i partive politike"- tha ai.