Topi: Mirëpresim hapjen e Ambasadës Boshnjake

Presidenti Bamir Topi deklaroi sot se Shqipëria mirëpret hapjen e Ambasadës Boshnjake në Tiranë. Gjatë një takimi me Kryesuesin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beçiroviç, kreu i shtetit hapja e ambasadës boshnjake do të ndikonte në nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Gjatë bisedës, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e procesit të integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik. Kryetari i Shtetit Shqiptar shprehu dhe interesin e palës shqiptare për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy vendet mike.
“Kjo do të jepte një impakt të menjëhershëm në rritjen e nivelit të bashkëpunimit të gjithanshëm, e sidomos atij ekonomiko-tregtar, si dhe do të ndikonte në afrimin e mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe njohjen e kulturave të dy vendeve”, - u shpreh Presidenti.
Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje- Hercegovinës, Denis Beçiroviç, vuri në dukje se kjo vizitë në Shqipëri konsiderohet me mjaft interes në kuadrin e angazhimit të shtetit boshnjak për zhvillimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh mes Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë në fusha me interes të ndërsjelltë.
Kryetari i Shtetit shqiptar dhe Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Beçiroviç në këtë takim vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, duke vënë në dukje vullnetin politik të palëve për forcimin e mëtejshëm të tyre edhe nëpërmjet shtimit të kontakteve, vizitave dhe takimeve të nivelit të lartë.