E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton ngritjen e gjykatave për të miturit

14/07/2009  Dekreti i Presidentit

Që nga data 1 shtator e këtij viti të miturit që kryejnë krime do të dënohen nga gjykata të ngritura posaçërisht për ta. Presidenti i Republikës ka miratuar me anë të një dekreti ngritjen e gjashtë gjykatave të specializuara, kryesisht për krimet e të miturve. Deri më sot ata gjykoheshin si të gjithë të tjerët, ndërkohë që të në të gjitha vendet e botës gjykatat e të miturve janë të ndara nga ato të personave madhorë në moshë. Kështu, në bazë të dekretit të Presidentit, Gjykata e të Miturve që do të ngrihet pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë do të ketë kompetencë tokësore dhe për Dibrën, Krujën, Kurbinin dhe Matin. Gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Durrës dhe Kavajë. Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Lezhë, Kukës, Pukë, Shkodër dhe Tropojë. Gjykata e rrethit gjyqësor Vlorë, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Berat, Fier, Lushnjë dhe Vlorë. Gjykata e rrethit gjyqësor Korçë, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Korçë dhe Pogradec. Gjykata e rrethit gjyqësor Gjirokastër, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë. Gjykata e rrethit gjyqësor Elbasan, me kompetencë tokësore në rrethin gjyqësor Elbasan. Në bazë të dekretit ët Presidentit, dekreti i mëparshëm nr. 5351, datë 11.06.2007 “Për krijimin e seksioneve të veçanta penale për gjykimin e të miturve pranë gjykatave të rretheve gjyqësore”, i ndryshuar, shfuqizohet. Ngritja e gjykatave të të miturve ka qenë një kërkesë permanente jo vetëm e Avokatit të Popullit, por dhe e faktorëve të tjerë që merren me të drejtat e njeriut. Jo në pak raste raportet e organizatave humanitare e kanë vënë në dukje si mangësi mungesën e tyre, për shkak se të miturit s’mund të trajtohen njësoj si të rriturit për të njëjtin krim. Ndërkohë që Presidenti Topi përpara ka miratuar dhe ndarjen administrative të gjashtë qarqeve në vend, ndarje e cila është e njëllojtë me ndarjen që i janë bërë kompetencave tokësore për gjykatat e të miturve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›