E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me ambasadoret Ulni tonet Respektoni voten

 Vullneti i zgjedhësve ka qenë i qartë në 8 maj dhe çdo tentativë për ta devijuar atë jashtë direktivave të kodit zgjedhor është i rrezikshëm dhe i dënueshëm. Ka qenë  presidenti Bamir Topi ai i cili në emër dhe të 3 prej ambasadorëve më me influencë në vend i ka drejtuar mesazhin klasës politike në këtë moment të nxehtë pas zgjedhor. Sipas tij partitë morën përsipër përgjegjësinë për këtë që po ndodh që prej 21 prillit 2008, kur ndryshuan formulën përbërëse të KQZ në Kushtetutë.
“Pavarësisht nga kompozimi i institucioneve, nëse këto bëhen me përfaqësimin e partive, detyrimi nuk është thjesht partiak. Detyrimi është kushtetues, është ligjor, është moral para të gjithë qytetarëve, të cilët e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë korrekte. Kështu që ne dëshirojmë që të kemi një përfundim sa më korrekt të procesit zgjedhor, i cili përfundon ashtu sikurse e prashikon ligji dhe të gjitha standardet ligjore! Ne nuk jemi në epokën para ligjit. Ne jemi në epokën kur ka ligj dhe ligji është i detyrueshëm të respektohet nga cilido, pa paragjykuar askënd nëse në vetëdijen e tij fshihen edhe elementë të përkrahjes apo të ndërgjegjjes partiake apo politike” tha Topi. Pjesë e mesazhit të presidentit, ambasadorit amerikan, atij të BE-së dhe OSBE-së, ishte dhe thirrja për ruajtjen e qetësisë.

“Duhet t’i kthehen ndërgjegjjes civile, t’i trajtojnë gjërat ashtu sikurse e thotë Kushtetuta dhe ligji, të bien në një terren qytetar, të mos krijojnë asnjë lloj situate tensioni!Ne u bëjmë thirrje të gjithë që të japin mesazhe për qetësi. U bëjmë thirrje të gjithë që t’i largohen çdo momenti tensioni ” tha Topi. Aleksandër Arvizu, Eugen Wollfarth dhe Ettore Sequi qendruan në selinë presidenciale për rreth 75 minuta. Treshja e ambasadorëve ka intensifikuar takimet me liderët politikë dhe apelet pas tensionimit të situatës, në pritje të rezultatit për Tiranën.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›