E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret zëvendëskryeministrat kosovarë

12/07/2011  

Takimi në Presidencë

Presidenti Bamir Topi u shprehu zëvendëskryeministrave të Kosovës Pacolli dhe Kusari (Lila) vlerësimet më të larta për përpjekjet e vazhdueshme dhe intensive dhe të gjitha nismat kurajoze në shërbim të perspektivës së ardhshme evropiane jo vetëm të Kosovës, por dhe të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar, siç është Nisma “Për një hapësirë mbarëkombëtare zhvillimi”. Një vlerësim të tillë kreu i shtetit ua përcolli zyrtarëve të lartë në takimin e zhvilluar dje në Presidencë. Kështu, gjatë paradites së djeshme Presidenti Topi priti zëvendëskryeministrat e Kosovës Behxhet Pacolli e Mimoza Kusari (Lila) së bashku me delegacionin që i shoqëronte. Gjatë bisedës zëvendëskryeministri Pacolli i shprehu presidentit Topi konsideratat më të larta për kontributin e vyer institucional e personal për konsolidimin e marrëdhënieve e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në të mirë të popujve tanë e ruajtjes së stabilitetit afatgjatë në të gjithë rajonin. Nga ana e tij Presidenti Topi vlerësoi përpjekjet në rritje të vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmirësimin e dialogut politik bashkëpunimit ekonomik midis tyre në një rajon që ofron mundësi të mëdha sipas modeleve ekonomike të vendeve të Bashkimit Evropian.

Po dje Presidenti Topi u nis në Maqedoni për të marrë pjesë në takimin e tretë që do të zhvillohet së bashku me presidentin e Maqedonisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi në qytetin e Ohrit. Në këtë takim të rëndësishëm rajonal priten të diskutohen çështje të rëndësishme të bashkëpunimit mes vendeve tona, si dhe projekte e sfida të së ardhmes, që prekin të gjithë Rajonin Ballkanik, në dobi të konsolidimit të marrëdhënieve politike, zhvillimit të mëtejshëm ekonomik, si dhe në kuadër të përmbushjes së aspiratës së përbashkët integruese evropiane dhe euroatlantike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›