E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimia kulturore shpirtërore , Vaso Tole: Mungesa e katalogimit rrezikon iso-polifoninë

>Dixhitalizm dhe katalogimi i kryeveprave të trashëgimisë diskutohet në konferencën Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore
Në kohën e sotme nevojitet një dixhitalizim dhe katalogim i kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit,siç është iso-polifonia. Për këtë qëllim dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua konferenca Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore, një nismë kjo e Këshillit të Muzikës Shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, në kuadër të projektit Safeguarding the Albanian Folk Iso-Polyphony- a Unesco masterpiece of the Oral and Intangible Heritage of Humanity, si dhe me mbështetjen e UNESCO/Japan Funds-in-Trust për Ruajtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Shpirtërore. Perla e folklorit shqiptar, iso-polifonia rrezikohet seriozisht të zhduket, pasi kjo vlerë e lashtësisë është ruajtur e përcjellë brez pas brezi në rrugë familjare dhe jo si muzika tjetër që transmetohet me shirita dhe CD, kështu u shprehën dje specialistë të kulturës. Në këtë konferencë ishin të pranishëm specialistë të fushës, punonjës të institucioneve kulturore të trashëgimisë kulturore në qendër dhe në bazë, studentë dhe të interesuar të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore. Siç dihet, katalogimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore është një fushë e re pune për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ligji 9048, datë 7.4.2003 Për trashëgimisë kulturore, i ndryshuar parashikon krijimin e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, i cili ndër të tjera duhet të shpallë edhe listën tonë të Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore, kjo krahas listës së monumenteve te kulturës materiale e cila tashmë ekziston prej vitit 1948. Detyrimet për thellim të mëtejshëm në fushën e katalogimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore rriten pas shpalljes së Iso-Polifonisë Popullore Shqiptare si Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit-UNESCO, e në mënyrë të veçantë pas ratifikimit që Shqipëria i bëri Konventës së UNESCO-s Për trashëgiminë shpirtërore në vitin 2006, ku parashikohet edhe hedhja e hapave konkrete për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore. I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe akademiku Vaso Tole i njohur në aktivitetin e tij për punën që ai bën me këto vlera të trashëgimisë shpirtërore. Në një prononcim dhënë për gazetën akademiku Tole u shpreh se qëllimi i këtij takimi është për një sensibilizim më të madh ndaj këtyre vlerave të trashëgimisë sonë kulturore shpirtërore. Kjo konferencë është një përpjekje, e cila përmbledh të gjithë faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilët duhet që të sensibilizohen se katalogimi i trashëgimisë shpirtërore i shërben jo vetëm ruajtjes dhe popullarizimit të vlerave, dhe këtu kam parasysh këngët, vallet, kostumet dhe instrumentet, por mbi të gjitha i shërben dokumentimit dhe rritjes së aksesit të publikut në këtë trashëgimi. Mungesa e katalogimit rrezikon jo vetëm iso-polifoninë, por dhe vlera të tjera, u shpreh akademiku Vaso Tole. Më tej sipas tij, në vendin tonë nuk zhvillohet më një jetë folklorike e dendur si disa vite më parë, dhe kjo bën që këto arkiva të jenë të disponueshme dhe për publikun. Sot nuk ka një jetë folklorike aq të dendur sa ka qenë më parë, që do të thotë që vlerat tashmë janë spostuar nga terreni folklorik në arkiva, prandaj duhet të që këto arkiva të bëhen të disponueshme për publikun, vijon më tej Tole. Sipas tij sot nuk është bërë sa duhet nga organet përkatëse, që merren me ruajtjen e trashëgimisë kulturore për këto vlera, ndërkohë që kemi të dokumentuara monumente të kulturës, ende nuk është bërë asgjë për trashëgiminë kulturore shpirtërore. Unë konstatoj faktin që katalogimi i trashëgimisë duhet të jetë me të njëjtat ritme, ashtu siç është dhe katoligimi i trashëgimisë materiale në vendin tonë. Sot kemi gati 50 mijë skeda që lidhen me monumentet e kulturës në Shqipëri, të dokumentuara si kala, ndërtesa kulti etj, por ne ende nuk kemi të aprovuar kartelën tip të trashëgimisë shpirtërore në vendin tonë, dhe ende nuk kemi një listë të kryeveprave shpirtërore në Shqipëri, pohon ai. Sot sipas akademikut Vaso Tole duhet që të ekzistojë dhe Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore, i cili duhet të ngrihet nga Ministria e Kulturës. Në parim, di që ligji e detyron Ministrinë e Kulturës që të ngrejë Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore. Ky këshill ka kompetencat që të shpallë kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Dhe ne ende nuk kemi një kryevepër të trashëgimisë shpirtërore të shpallur me ligj. Ky këshill nuk është ngritur akoma dhe nuk di që të ketë funksionuar, sepse unë personalisht nuk di asnjë vendim që të jetë marrë deri tani. Duhet patjetër një këshill i tillë, sepse ka targrin që të shpallë listën e monumenteve të trashëgimisë shpirtërore të Shqipërisë. Me këtë trashëgimi kaq të pasur, ne duhet të kemi një listë e cila duhet të fillojë urgjentisht, sepse lista do të thotë mbrojtje për këto vlera. Konferenca mjafton dhe për të parë se ku jemi, por dhe për të ndërtuar një proces sa më të mirë, u shpreh akademiku Tole. Këtë konferencë e përshëndetën dhe Elida Petoshati nga Komisioni Kombëtar i UNESCO-s, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Akademik Myzafer Korkuti, nga Akademia e Shkencave,  Prof. Dr. Miaser Dibra Drejtore e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe e Studimit të Arteve pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Gjatë kësaj konference Prof. Dr. Fatmir Hysi nga Akademia e Arteve, Fakulteti i Muzikës drejtoji seancën praktike të punës ku referuan akademiku Vaso Tole me kumtesën -Konventa e UNESCO-s për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore; Magjistër Klodian Qafoku e Armand Zaçeliçi referuan mbi "Dixhitalizimi i arkivit muzikor të Institutit të Antropologjisë Muzikore, sipas standardeve ndërkombëtare, arritje dhe risi" dhe Magjistër Ilir Parangoni, i cili prezantoi punën e bërë deri më tani për hartimin e Database të iso-polifonisë popullore shqiptare. Afërdita Onuzi specialiste pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe e Studimit të Arteve u shpreh se mungesa  e dixhitalizimit të vlerave të trashëgimisë shpirtërore është një problem që nuk i takon vetëm institucioneve përkatëse që merren me mbrojtjen e kësaj trashëgimie, por edhe arkivave të tjera. Dixhitalizimi është një problem që na takon të gjithëve, jo vetëm thjesht institucionet që kanë arkivat qendror, por unë mendoj që për të gjithë arkivat e muzeve që ekzistojnë në vendin tonë. Është një konferencë e pritur, pasi akoma gjendet rreziku i trafikimit të këtyre vlerave të trashëgimisë kulturore, qoftë edhe atyre materiale shpirtërore është ende prezent. Në këtë kuptim ka rëndësi që të bëhet ky aktivitet. Nuk e dimë se sa do të japë efektet e tij, por e rëndësishme është që ka shqetësim për këtë. Përmasat që ka marrë puna studimore, kërkesat që kanë punonjësit, por dhe për të tjerët që janë të interesuar kërkon punë për këto vlera për ti ruajtur, por dhe për mos tu shpërdoruar, për të pasur të drejtën e autorit, apo të drejtën për të pasur një pronar të ligjshëm, i cili kujdeset dhe i ruan, po i vë dhe një emër dhe nuk mund të keqpërdoren nga njerëz të pakualifikuar, shprehet Onuzi. Një nga problemet që ngre specialistja Onuzi është dhe vlerësimi i këtyre vlerave shpirtërore,cili është një problem që kërkon zgjidhje. Ne kemi problem vlerësimin e objekteve të kulturës materiale. Jo se ne nuk kemi dashur që ta bëjmë diçka të tillë, por ka një problem që duhet zgjidhur me Ministrinë e Financave. Ata sipas rregullit duhet të vijnë dhe presim që të vendosin koefiçentin përkatës mbi termin, dhe më pas ne të fillojmë mbi atë bazë që të bëjmë rivlerësimin material. Ndërsa për sa i përket arkivit të muzikës jemi të parët që kemi bërë punë më të mirë sot në Shqipëri, falë një bashkëpunimi prej dy vjetësh me mbështetjen e Ambasadës Austriake, dhe në mënyrë të veçantë drejtorit të fonogramës së arkivit të Vjenës, pohon specialistja Afërdita Onuzi. Izet Duraku, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore e cilëson konferencën të rëndësishme për katoligimin pasurive të trashëgimisë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›