E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre parti propozojnë emrat për anëtarë të KQZ-së

Sipas Kodit Zgjedhor, dy prej propozimeve bëhen nga partia e dytë më e madhe në koalicionin qeverisës dhe në koalicionin opozitar. Anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste janë Albana Shtylla dhe Denar Biba. Zonja Shtylla, aktualisht punon pranë institucionit të Avokatit të Popullit, ndërsa z.Biba është këshilltar në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, Partia Demokratike, ka propozuar sërish dy prej anëtarëve të saj që janë aktualisht pjesë e KQZ-së, përkatësisht Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. LSI-ja e Ilir Metës ka vendosur të shkojë me dy kandidatura në Kuvend, Arben Shkëmbin, komisioner tek Avokati i Popullit dhe Flutura Kona, ish-Avokate e Shtetit në vitin 2000. 

Pas zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të KQZ-së, nis gara për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni. Afati për zgjedhjen e anëtarëve ka kaluar prej më shumë se një jave, ndërsa më 26 shtator sipas Kodit Zgjedhor duhet të zgjidhet kryetari.

Pas zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, brenda 10 ditësh përzgjidhet kryetari, i cili sipas ligjit i takon partisë në pushtet. Shqipëria pritet të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa KQZ-ja e re duhet të nisë menjëherë punën për përgatitjen e këtij procesi. Me propozimet e bëra nga partitë, duke se është zhbllokuar situata për riformatimin e institucionit që administron zgjedhjet në vend.

Edhe me ndryshimet e reja ligjore, kreu i KQZ-së i takon demokratëve, ose në raste të tjera partisë që është në pushtet. Zgjedhja bëhet me votim të thjeshtë në Parlament prej 71 votash, që mazhoranca aktuale i ka. Por ndryshe nga herët e tjera, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar në muajin korrik, përzgjedhja do të bëhen me anë të një konkursi në komisionin e Ligjeve.

Kodi i ri parashikon dy variante: i pari, është që të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve të zgjedhin në mënyrë konsensuale dy kandidatë për t’i dërguar më pas në Parlament. Nëse dy kandidatë nuk zgjidhen nga të paktën 17 deputetë në Komisionin e Ligjeve, atëherë përzgjidhen 4 emra që kanë marrë numrin më të madh të votave. /S.Ll/Start/ 

                                                                                             2012-09-25 16:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›