Trëndafila të bardhë, një roman nga Meri Lalaj
>Meri Lalaj, e njohur deri më tash me libra që nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë në libraritë dhe lexuesin shqiptar, përkthyesja e Eseninit dhe Ahmatovës, autore e disa librave me poezi e prozë, sjell këto ditë para lexuesit romanin e saj të fundit. Trëndafila të bardhë vjeshte është romani që doli nga shtypi këto ditë, botim i shtëpisë botuese Skanderbeg books.
Autorja ka një përvojë të pasur në lëvrimin e letërsisë, ajo e zhvillon këtë dhunti duke zgjeruar fushëpamjen e saj në recensione letrare, në përkthime të ndryshme, në poezi, tregime dhe këtë herë në përvojën e saj, në fushën e romanit. Romani është ndërtuar mbi një linjë të thjeshtë në pamje të parë, një dashuri mes dy njerëzve në një moshë të vonë. Kjo është një përballje mes dy kulturave të ngjashme, mes dy psikologji të ndryshme, mes dy pikëvështrimeve të caktuara ndaj dy realiteteve të ndryshme, atij shqiptar dhe atij kosovar. Në këtë kontekst, autorja ka përcjellë një histori dashurie, dashuri e cila rritet dhe konsolidohet, apo mbahet në këmbë përmes së shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes së paparashikuar për shkak të moshës, largësisë dhe paragjykimeve. Zana dhe Mirushi, dy personazhe që sjellin dy frymë të ndërtuara në prerje kohore mbi të cilat konceptohet vizioni i shoqërisë në ndryshim, i shoqërisë në konfigurimin e personalitetit të saj demokratik. Arkeologu që qëmton në të shkuarën për të ravijëzuar të ardhmen e vendit të vet. Shkrimtarja që ka humbur pikat e horizontit për shkak të vetmisë dhe ndjehet papritur në vorbullën e një ndjenje të harruar, të vjetër që ajo e provon kur e gjithë vëmendja ishte shumë larg saj, grupimit të moshës së saj, jetës së saj. Alternativat që hedh në diskutim ky roman janë se sa vlerë ka një dashuri, sa forcë ka ajo për të kuptuar se lumturia është rruga që bën se cili për të arritur majën, jo vet kënaqësia kur je në majë.