Tryeza Rama- Berisha: Ja si do të zhvillohen bisedimet
Ndonëse caktoi datën e mbledhjes së tryezës së dialogut që do të ulë përballë kryeministrin Berisha dhe liderin e PS-së, Edi Rama, presidenti i republikës, Bamir Topi vazhdon konsultimet me ndërkombëtarët. Pas Lohan, Montobio dhe Widhers, të martën ka qenë rradha e ambasadorit gjerman Bernard Boshard. Sipas njoftim zyrtar të Presidencës, takimi u zhvillua në kuadër të vizitës qe Topi do të zhvillojë në Gjermani në muajin prill. Por situata politike dhe konkretisht tryeza partikake, nuk mund të ngelej jashtë diskutimit.
Burime të Alsat bëjnë të ditur se ndonëse në 13 shkurt në orën 11:00,
Berisha dhe Rama do të ulen në të njejtën tryezë nën moderimin e Bamir
Topit, negociatat do të vijojnë më tej në nivel ekpertësh. Pas
bisedimeve të së shtunës, që vetëm fillimisht do të jenë të hapura për
mediat, dy liderët partiakë do të përcaktojnë emrat e të zgjedhurve të
tyre për të vijuar tratativat.
Negociatat pritet të vazhdojnë përtej 22 shkurtit datë kur është
përcaktuar dhe mbërritja e delegacionit të Këshillit të Europës.
Delegacioni i përbërë nga zyrtarë të lartë të Strazburgut do të tentojë
të arrijë një zgjidhje për krizën politike, zgjidhje e cila mund të mos
vijë nga tryeza e Bamir Topit.
Nga presidenca nuk mësohet asgjë më shumë në lidhje me detajet e kësaj
tryeze. Ndërsa nga dy forcat kryesore politike konfirmohet se deri më
tani nuk është përcaktuar asgjë, veç vullnetit të krerëve të tyre për
t’u ulur për të biseduar tek presidenti.
Kreu i shtetit përcaktoi të shtunën si ditën kur Rama dhe Berisha do të
ulen të bisedojnë në selinë e tij. Vendimi erdhi pas shumë konsultave
me diplomatët në vend dhe pas miratimit telefonik të marrë nga dy
kryetarët e partive.
Elona Gjylmi
Azhornuar së fundi ( e martë , 09 shkurt 2010 )