E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujesjellesi i Beratit Berisha dhe Niebel perurojne nisjen e punimeve

Dirk Niebel ministri gjerman për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim udhëtoi me kryeministrin Berisha drejt Beratit për të përuruar një tjetër vepër ku qeveria gjermane është bashkëfinancuese. Ata prenë shiritin e përfundimin e punimeve për fazën e parë të projektit për "Furnizimin me Ujë të Pijshëm" për qytetet e Beratit dhe Kuçovës me vlere 15 milion euro.

Faza e parë e projektit, bashkëfinancohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim KfW me 6.6 milion euro dhe parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm, instalimin e matësave të ujit në qytetin e Beratit si edhe ndërtimin e linjës kryesore të furnizimit me ujë Berat-Kuçovë me një gjatësi prej 12 km.

Projekti ka si qëllim t’i sigurojë popullatës, prej 120000 banorësh, një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm i cili përmbush të gjitha kriteret e një uji të pastër higjenikisht. Kryeministri Berisha vlerësoi angazhimin e KFË-së në drejtimin e një procesi që ka për qellim zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave në Shqipëri.

“Thirrja ime për autoritetet vendore është kjo: Mënyra më e mire për t’i shprehur mirënjohjen taksapagueseve gjermane është të adoptojmë disiplinën dhe parametrat gjermane në menaxhimin e ujërave dhe kjo është pa diskutim mënyra me e mirë për t’i shprehur mirënjohjen ndaj tyre. U gëzova kur dëgjova drejtorin e kompanisë i cili na tregoi se sa ndërhyrje kishin bërë në mënyrë për të normalizuar furnizimin me ujë për Kuçovën. Qytetarëve tanë u mungonte furnizimi me ujë por tani më shumë se 95 për qind e shqiptarëve furnizohen me ujë të rrjedhshëm. Sigurisht jo 24 orë por të paktën kanë ujë të rrjedhshëm. Por është themelore për ne të angazhohemi për një menaxhim nga më të mirët”, tha Kryeministri Berisha.

Në praninë e ministrit gjerman Niebel kreu i qeverise shqiptare solli në vëmendje dhe anën historike sepse ky projekt është i një rëndësie themelore në këtë vend të përjetshëm, siç e cilësoi ai Beratin.

“Historia thotë se është 2500 vjeçar por nëse kthehemi para në kohe do të gjejmë gjurmë edhe më të lashta. Ky vend është shumë i veçantë në trashëgiminë e vetë kulturore. Por një nga gjerat të shquara të këtij vendi është mënyra se si qytetarët e këtij vendi ruajtën jo vetëm qytetin e tyre por edhe librin. Njeri nga librat është trashëgimi kulturore botërore. Vjen nga shekulli i 6 dhe nuk u ruajt nëpër arkiva por në arkivat e familjes dhe u përçua gjeneratë pas gjenerate deri ditët e sotme. Dhe ky është Kodiku i Purpurtë i Beratit që sot është trashëgimi botërore. E theksova këtë sepse dëshirojë që taksapaguesit gjermanë të dine se ku po investojnë. Paratë e tyre në këtë rast po shpenzohen për njerëz dhe për një vend që ka kontributin e vetë për njerëzimin tonë”, tha Berisha.

Në emër të Qeverisë Gjermane dhe të Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulencë që lidhen me projekte të ndryshme.

Ministri i gjerman i Ekonomisë, Dirk Niebel: “Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988 e deri me sot janë akorduar mbi një miliard euro për projekte investimesh në gjithë Shqipërinë, gjysma prej te cilave janë dhënë në kuadër të Bashkëpunimit Financiar që implementohet nga KfW. Vetëm ne sektorin e ujësjellës-kanalizimeve Qeveria Gjermane ka angazhuar rreth 230 milion euro.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›