E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulje çmimesh të ushqimeve gjatë prillit

Instituti i Statistikave bëri me dije se gjatë muajit prill ka pasur një ulje të çmimeve në përgjithësi.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2011 arriti 112.2 për qind kundrejt muajit Dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 0.6 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin Prill është 4.1 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7 për qind.

Kjo tregon se niveli i inflacionit ka pësuar ulje, nga 4.3 për qind që ishte në muajin mars dhe 4.5 për qind, në muajin shkurt. Sipas INSTAT indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej rreth 1.5 për qind, ku brenda këtij grupi ulja më e madhe prej gati 12.6 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.

Këtu mund të përmendet ulje e çmimit të kastravecave me 49.5 për qind, spinaqit me 22.9 për qind, domateve me 19.0 për qind, patëllxhaneve me 18.6 për qind, specave me 11.8 për qind, etj, Çmimet e nëngrupit "fruta" shënuan  një rritje prej 4.0 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonave me 8.8 për qind, portokalleve me 7.6 për qind, mollëve me 6.5 për qind, kivit me 1.2 për qind, etj.

Gjatë muajit Prill çmimet në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve shënuan rritje ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet “bukë dhe drithra” me 1.0 për qind, “peshk” me 1.0 për qind, “qumësht, djathë e vezë” me 0.3 për qind etj. /Start/

                                                                                             2011-05-13 15:01
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›