E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaksina e H1N1 në Shqipëri mund të vijë në nëntor, në pikun e gripit

Vaksina e gripit të derrave në Shqipëri do të vijë atëherë kur mendohet që vendi të jetë në pikën e tij kritike për gripin. Sipas specialistëve të shëndetësisë të prekurit nga ky grip priten që të nisin të shfaqen që në fund të gushtit e sidomos në fillim të shtatorit por vaksina mendohet se mund të vijë në nëntor, kohë e cila është shumë e vonë për vendin. Vaksina për gripin H1N1 do të prodhohet në nëntor dhe në Shqipëri pritet të vijë një sasi e vogël. Instituti i Shëndetit Publik ka planifikuar që grupet e para që do të vaksinohen falas do të jenë personeli mjekësor, qeveritarët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, astma, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën 2 vjeç. Kostoja e kësaj vaksine mendohet se është 1500 lekë. Sipas shefes së Departamentit të Epidemiologjisë, në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino janë marrë 70 mostra të personave të dyshuar të cilët kanë rezultuar jo të prekur nga virusi i gripit të derrit. Në këtë Institut janë duke u analizuar mostrat e 2 personave të tjerë, analiza të cilat konfirmohen edhe nga laboratori në Londër dhe Rumani. Specialistët e shëndetësisë theksojnë se muajt shtator dhe tetor janë cilësuar si më të rrezikshëm, ndaj duhet të merren masa në të gjitha spitalet e vendit, pasi të prekurit mund të jenë kudo. Për të përballuar një pandemi të mundshme duhet jo vetëm që spitalet të jenë të pajisura me tamiflu por edhe me të gjitha masat mbrojtëse, si doreza, maska, respirator si dhe dhoma të veçanta me oksigjen, që në disa rrethe mungojnë. Specialistët mendojnë që brenda një jave të kemi 15 persona të prekur nga ky virus çka do të bëjë të domosdoshëm që të kemi 10 vende në reanimacion. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe në atë të senatoriumit ka vende të lira, por duket se fluksi i zakonshëm me të sëmurë e bën të vështirë realizimin e këtij planifikimi. Specialistët e ISHP-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH do të bëjnë një takim me mjekët e familjes të cilët do të pajisen me tuba në mënyrë që edhe të marrin mostra, për të identifikuar personat që dyshohen se janë prekur nga ky virus.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›